Flash News

E-TJERA

Produktet e pakontrolluara: Adoleshentët rrezikojnë të preken nga sëmundjet kardiovaskulare

Produktet e pakontrolluara: Adoleshentët rrezikojnë të preken nga

Muajt e fundit vëmendja është kthyer nga adoleshentët. Dhe kjo jo prej faktit se ata po zhvillojnë provimet e maturës, por për diçka tepër shqetësuese. Bëhet fjalë për përdorimin e pajisjeve vape nga kjo grupmoshë. Në media qarkullojnë pamje të fëmijëve të cilët sigurojnë nga shitës ambulantë Vape, cigare të hapura dhe jo vetëm. Këta shitës dalin në kundërshtim me ligjin dhe pranë shkollave tregtojnë produkte të pakontrolluara. 

Përveç kërkesës për shtimin e kontrollit në nivele të ndryshme të instancave shtetërore, ekspertët e duhanit po ngrenë alarmin edhe për prevalencën e shfaqjes së sëmundjeve serioze tek adoleshentët dhe hapat që duhen ndjekur për t’i mbrojtur ata. 

Sigurisht që përdorimi i produkteve të duhanit dhe tregtimi i tyre tek fëmijët nën moshën 18 vjeç në vendin tonë është i ndaluar, por shitja e tyre në tregun e zi krijon mundësi që adoleshentët t’i blejnë. Të rinjtë tërhiqen drejt vape të pakontrolluara edhe nga çmimi i ulët dhe i përballueshëm, por edhe nga fakti që janë lehtësisht të aksesueshme. Ndaj dhe mënyrat më të shpejta për të menaxhuar ‘shitjen në të zezë’ lidhet me kontrollin më të shpeshtë për të identifikuar rastet e shitësve ambulantë, por gjithashtu edhe kontroll të shtuar në ambientet ku të rinjtë kalojnë kohën e lirë. 

Ndërkohë të dhënat e studimit më të fundit nga Universiteti i Mjekësisë në Ohio, treguan se ‘situata është vërtetë kritike sidomos në pasojat që këto produkte kanë tek fëmijët’. Produktet si cigaret elektronike, pajisjet Vape e shumë të tjera, janë krijuar të dedikuara për duhanpirësit e rriturit duke u ofruar atyre alternativa të cilat i reduktojnë dëmin e shkaktuar nga djegia. Por gjithsesi këto produkte përmbajnë nikotinë, e cila krijon varësi në të gjitha moshat, por më tepër tek fëmijët. 

Të dhënat treguan se një kimikat i njohur si diacetil shkaktonte simptomën e njohur si ‘mushkëria kokoshkë’ e cila dëmton muret e mushkërisë. Gjithashtu te adoleshentët nxit shfaqjen e problemit me refluksin, por edhe të pneumonisë së lipideve. 

Shqetësim mbetet edhe fakti se tek shumica e këtyre produkteve nivelet e nikotinës, cilësia e duhanit, substancat toksike të përziera në mbushjet e lëngëzuara, janë të pakontrolluara, duke e bërë riskun akoma edhe më të lartë.

Shoqata Amerikanë e Sëmundjeve Kardiovaskulare, ka deklaruar se edhe problemet me qarkullimin e gjakut apo ritmin e rrahjeve të zemrës, janë vënë re tek adoleshentët të cilët kanë përdorur për një kohë të gjatë këto produkte. 

Mesazhi që duhet përcjellë në çdo moment lidhet me pasojat që këto produkte shkaktojnë tek fëmijët dhe se si prindërit apo mësuesit të mund të menaxhojnë rastet kur identifikojnë adoleshentë që i përdorin. Këto mund të jenë disa nga hapat që mund të ndihmojnë tek ulja e këtij fenomeni. 

Të fundit