Flash News

E-TJERA

Projekti “Smart City”, gazetari:140 milionë dollarë do jepen pa garë dhe pa tender

Projekti “Smart City”, gazetari:140 milionë dollarë do

Projekti qeveritar “Smart City”, me një kosto prej 140 milionë dollarësh, parashikon ngritjen e një sistemi të gjerë monitorimi në qytetet kryesore të vendit, përmes instalimit të rreth 5 mijë kamerave dhe përdorimit të platformave të inteligjencës artificiale për menaxhimin e qytetit dhe trafikut.

Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, e cilësoi projektin si një nga aferat e radhës korruptive, duke renditur disa arsye kryesore për këtë vlerësim.

Sipas Tomorrit, projekti kap vlerën e 140 milionë dollarëve dhe do të zbatohet pa asnjë garë dhe pa asnjë procedurë tenderimi. 

"E para, për shkak të kostos që është shumë e madhe dhe për shkak të sensitivitetit të të dhënave, sepse kamerat do të mbledhin të dhëna që janë pasuri shumë e madhe por mund të kthehen në hall të madh nëse shkojnë në duar që nuk duhet të shkojnë. Erdhi me 110 mln dollarë në fillim, rrugës u shtua sepse thanë kemi harruar TVSH.

Modeli financiar? Paratë do të merren borxh nga Emiratet e Bashkuara, nga vendi i cili vjen kompania, arabët do të na japin borxh 110 mln dollarët, këto para do ti marrë kompania arabe dhe shqiptarëve u mbetet fatura, që do ta paguajnë me interes 4% për 15 vjet.

Përtej 110 mln dollarëve, që do të paguhen me interes, është edhe TVSH, që mbulohet nga buxheti 20 e ca milionë. E çon 130 mln në total projektin. Pra marrëveshja financiare, që arabët do të japin para hua, dhe marrëveshja u miratua në Parlament dhe komponenti i dytë, kontrata me kompaninë arabe.

Kjo është pa tender, arabët japin paratë borxh, qeveria ia paguan kompanisë. Qeveria, pasi mbaroi marrëveshjen e huasë në parlament, caktoi një grup punë që do të negocionte kontratën dhe vendosi në krye ish zv ministrin e brendshëm, Julian Hodaj dhe shefin e IT. Nga ana tjetër kompania arabe. 

Me sa duket, zoti Hodaj apo grupi i punës kishte hezitime për ta firmosur për shkak të sikleteve që mund të kishte marrëveshja. Kishte hezitime për shkak të ndërhyrjeve nga faktorë të tjerë, që nuk donin të shkonte në një kompani që vjen nga një vend jashtë NATO dhe ka lidhje me Kinën, pasi pronari është shtetas me origjinë kineze, edhe pse jeton në Abhu Dhabi.

Po të mbani mend, ato pamjet e zotit Rama në telefon nga Roma që bërtiste, ishte telefonata që dyshohet se ka bërë me Julian Hodaj, për shkak te hezitimeve të tij dhe nuk po firmosej kontrata. Pas ardhjes së Ramës, pas kthimit nga Italia, zoti Hodaj u shkarkua dhe në vend të tij u emërua Xhemal Qefalia, që e firmosi kontratën.

Pse dyshohet si aferë korruptive? Jepen 140 mln dollarë pa tender, pa garë, qoftë edhe formale. E dyta, kostoja e lartë. Nëse sheh numrin e kamerave me koston totale, janë 15 mijë dollarë për një kamerë. Përtej kostos është edhe problemi i sigurisë së të dhënave, pasi do ti ketë kjo kompani", tha ai. 

Të fundit