Flash News

E-TJERA

Projektligji për Shërbimin e Jashtëm në Kuvend, Këshilli i Ambasadorëve: Antikushtetues dhe nën kontroll politik

Projektligji për Shërbimin e Jashtëm në Kuvend,

Reagon Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë projektligji i ri për Shërbimin e Jashtëm, i përgatitur rreth dy vite më parë nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është depozituar sërish në Kuvendin e Shqipërisë për shqyrtim në komisionet përkatëse dhe më pas për miratim në seancë plenare.

Sipas KASH, drafti është antikushtetues, i diktuar politikisht dhe rrezikon të shkatërrojë përfundimisht sistemin e karrierës diplomatike, duke injoruar rekomandimet e ekspertëve dhe thirrjet për një diplomaci profesionale, të pavarur nga politika e ditës.

Reagimi:

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka mësuar se projektligji i ri për Shërbimin e Jashtëm, i përgatitur rreth dy vite më parë nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ), është depozituar sërish në Kuvendin e Shqipërisë për shqyrtim në komisionet përkatëse dhe më pas për miratim në seancë plenare.

Sipas KASH, projektligji mbetet i pandryshuar nga versioni fillestar i dy viteve më parë dhe nuk merr parasysh asnjë nga rekomandimet e propozuara nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë apo nga aktorë të tjerë gjatë procesit të konsultimit publik. Ky projektligj vijon të jetë një dokument i diktuar politikisht dhe nuk ka asnjë lidhje me një sistem profesional të karrierës diplomatike.

Në qëndrimet e tij publike, që prej muajit gusht 2024, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka deklaruar se një projektligj i tillë është antikushtetues, antadministrativ dhe cenon në thelb sistemin e karrierës diplomatike të ndërtuar për më shumë se një çerek shekulli. Në një letër zyrtare drejtuar Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, KASH ka paraqitur rekomandime dhe amendamente konkrete, si në përmbajtje ashtu edhe në frymë, por asnjë prej tyre nuk është marrë në konsideratë.

Për të shprehur qëndrimin e tij kundërshtues, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka kërkuar Komisionit Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme të organizojë një seancë dëgjimore me KASH dhe aktorë të tjerë të interesuar, përpara se të merret çdo vendim për kalimin e projektligjit për miratim në seancë plenare.

KASH mbetet në qëndrimin se diplomacia shqiptare ka nevojë për një ligj që forcon karrierën profesionale diplomatike, pas dëmit të shkaktuar nga Ligji nr. 23/2015, dhe jo për këtë projektligj aktual, i cili në thelb varros diplomacinë e karrierës duke e vënë atë nën kontroll politik dhe partiak.

Sipas Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, sistemi i karrierës diplomatike nuk duhet të përcaktohet nga politika e ditës, por nga vetë diplomacia profesionale, përmes komisioneve profesionale, të drejtuara nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë si nëpunësi civil më i lartë. Procedurat e vlerësimit, kompetencat drejtuese, sistemi i gradimit diplomatik dhe përgjegjshmëria profesionale duhet të forcohen.

Në përfundim, KASH i bën thirrje Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të mos e miratojë këtë projektligj dhe ta rikthejë atë për përmirësime thelbësore. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh gatishmërinë për të kontribuar në mbrojtje të diplomacisë së karrierës dhe interesave kombëtare të Shqipërisë.

Të fundit