E-TJERA

Prokuroria bën bilancin e krimeve zgjedhore: 53 njoftime dhe 5 të arrestuar; sa çështje i kanë kaluar SPAK-ut

Prokuroria bën bilancin e krimeve zgjedhore: 53 njoftime dhe 5 të

Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar për krimet zgjedhore. Përmes një njoftimi për mediat, organi i akuzës bën me dije se është angazhuar për hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve.

Prokuroria njofton se lidhur me këtë çështje janë regjistruar për procedim 53 njoftime për vepra penale në periudhën para dhe pas zgjedhore. Gjithashtu bën me dije se ka përfunduar hetimi për 7 prej tyre dhe pesë persona janë nën hetim.

"Nga raportimet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm mbi veprat penale në fushën e zgjedhjeve për periudhën parazgjedhore e deri më datë 08.06.2021 rezulton se prokuroritë kanë regjistruar procedimin penal për 53 njoftime për vepra penale në lidhje me zgjedhjet.

Nga çështjet e regjistruara kanë përfunduar 7 prej tyre me 5 persona në hetim, prej të cilave 3 procedime me 3 persona nën hetim janë transferuar në SPAK, 1 është pushuar, 1 është pezulluar dhe 2 procedime me 2 të pandehur janë dërguar për gjykim", thuhet në njoftimin zyrtar.

Prokuroria shton se janë në proces verifikimi 41 njoftime për vepra penale në fushën e zgjedhjeve dhe 23 prej tyre i kanë kaluar SPAK-ut. Gjithashtu shton se është vendosur mosfillimi i procedimit penal për 25 njoftime që lidhen me: Pengimi i subjekteve zgjedhore, falsifikim i materialit zgjedhor dhe rezultatit të zgjedhjeve, shkelja e fshehtësisë së votimit, votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar, korrupsioni aktiv dhe pasiv në zgjedhje, etj.

Sipas organit të akuzës, 11 persona janë nën hetim dhe 5 janë arrestuar në flagrancë. Për 3 nga këta të fundit është pranuar masa e sigurisë “arrest në burg”.

 

 

Të fundit