Flash News

E-TJERA

Protesta në Morinë për masat antiCovid të Kosovës, procedohen dy banorë të Kukësit

Protesta në Morinë për masat antiCovid të Kosovës,

Dy banorë të Kukësit janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, pas protestës në pikën kufitare të Morinës, për të kundërshtuar masat e reja antiCovid të vendosura nga Kosova.

Policia ka nisur procedimin ndaj tyre si organizatorët e protestës. Qytetarët tentuan dje të kalonin kufirin, por u ndaluan nga policia për shkak se duhej të kishin edhe dozën e tretë të vaksinës.

“Policia e Kukësit procedoi penalisht në gjendje të lirë për veprat penale "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme"  dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", “shtetasit R. M., 64 vjeç dhe M. F., 37 vjeç, banues në Kukës, pasi në PKK Morinë, kanë organizuar protestë pa lejen e organeve kompetente, duke bllokuar lëvizjen e lirë të qarkullimit të mjeteve” informoi policia e Kukësit”, njofton policia.

Qytetarët tentuan më tej të bllokonin kalimin nga Kosova në Shqipëri, por gjendja u normalizua.

Më vonë, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë sqaroi se kalimi i udhëtarëve mund të bëhej edhe me dy doza vaksina, veçse do të duhej që me vete të kenë edhe testin PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë.

Kujtojmë se ndaj masave të reja kufizuese të Kosovës, kanë shprehur pakënaqësi edhe qytetarët e RMV-së. Ata deklaruan se nuk ishin njoftuar në kohë, pasi vendimi ishte marrë shumë shpejt.

Të fundit