Flash News

E-TJERA

Protestuan me arkivol në Durrës, policia arreston dy qytetarë

Protestuan me arkivol në Durrës, policia arreston dy qytetarë

Policia e Durrësit ka arrestuar dy persona që kanë protestuar me arkivol gjatë tubimit të djeshëm.

Në ditën e gjashtë të protestës për Klodian Rashën, disa të rinj kishin gjetur një mënyrë ndryshe për të protestuar, me arkivol, flamurin shqiptar mbi të dhe me parrullën ”Drejtësia ka vdekur”.

Përveç dy të arrestuarve, Policia ka proceduar edhe dy të rinj të tjerë të cilët ishin pjesëmarrës, njëri prej tyre dyshohet se është Artjon Bajrami, kreu i FRPD në Durrës.

Njoftimi i plotë: 

Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, arrestohen në flagrancë 2 shtetas, procedohen penalisht 2 të tjerë.

Ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim, arrestohet në flagrancë 1 drejtues mjeti.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit Sh. M., 24 vjeç dhe A. B., 30 vjeç, si dhe proceduan penalisht shtetasit A. V., 20 vjeç dhe F. D., 23 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.

Këta shtetas, edhe pse shërbimet e Policisë i kanë bërë të ditur që nuk lejohen tubimet dhe grumbullimet për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, kanë vijuar të protestojnë.

Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës ndaluan shtetasin A. H., 17 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim policor për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, pasi në periudha të ndryshme kohore ka kanosur shtetasin I. M., 14 vjeç, duke përfituar herë pas here shuma të ndryshme parash.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin I. F., 52 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur, ka goditur një tjetër mjet duke shkaktuar dëme materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Të fundit