Flash News

E-TJERA

PS mbrojti mandatin e Xhaçkës, Bardhi: Shqipëria s’ka më dallim me regjimet autoritare

PS mbrojti mandatin e Xhaçkës, Bardhi: Shqipëria s’ka

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër lidhur me vendimin e djeshëm të socialistëve për të mos dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës.

Përmes një postimi në rrjetin social "X", Bardhi deklaroi se me këtë veprim, në Kuvend u ekzekutua përfundimisht Reforma në Drejtësi.

Sipas tij, vendimi i shumicës për të injoruar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese është një akt i paprecedent në historinë e vendit dhe i denjë vetëm për regjimet diktatoriale.

 Bardhi theksoi se Shqipëria, një vend kandidat për në BE dhe anëtar i NATO-s, ka shkelmuar mbi parimet bazë të shtetit ligjor, duke mos pasur më asnjë dallim me vendet autoritare.

REAGIMI I BARDHIT: 

1. Me votë politike të Edi Ramës në Kuvend dje u ekzekutua përfundimisht Reforma në Drejtësi. Puçi kushtetues i Kuvendit duke injoruar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese është i pandodhur kurrë në 34 vjet, i paprecedent dhe i denjë vetëm për regjimet diktatoriale.

2. Dje u varros përfundimisht edhe propaganda e Edi Ramës për komisione të posaçme për Shtetin Ligjor. Të gjithë ata që dyshuan se ER tjetër gjë thotë dhe tjetër gjë bën, morën përgjigje finale me votimin e djeshëm, ku për herë të dytë ER refuzoi të ekzekutojë vendimet e GJK.

3. Shteti personal nuk ka asnjë lidhje me shtetin ligjor. Një vend kandidat për në BE dhe një vend anëtar i NATO-s ka shkelmuar para çdo shqiptari dhe ndërkombëtari parimet elementare të shtetit ligjor. Nga dje Shqipëria nul ka asnjë dallim me vendet autoritare!

4. GPPD dënon me forcë aktin e djeshëm të Kuvendit dhe të Edi Ramës, për ti dhënë statusin e paprekshme nga drejtësia bashkëpunëtores së tij dhe garanton se do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin ligjor.

Edhe pse Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj, ka deklaruar qartë se vlefshmëria e mandatit të Xhaçkës duhet të vendoset nga GJK-ja, në seancën e sotme, pro kërkesës së Kushtetueses, kanë votuar vetëm 25 deputetë të Opozitës. Ndërkohë që 9 deputetë socialistë kanë votuar kundër dhe 65 të tjerë kanë abstenuar. 39 deputetë të pranishëm në sallë kanë zgjedhur që të heshtin, duke mos marrë pjesë fare në votim. Në përfundim të votimit, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali tha se nga dita e nesërme do t’i drejtohet Komisionit të Venecias. 

Gjykata Kushtetuese ishte e qartë në qëndrimin e saj se çështja duhet të shqyrtohet prej saj, por mazhornaca ka vendosur t’i qëndrojë deri në fund mbrojtjes së deputetes socialiste. Në dy votime të mëparshme PS nuk ka pranuar të dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Olta Xhaçka akuzohet se ka shkelur Kushtetutën pasi ka votuar në kohën që ishte ministre për t’i dhënë pasuri publike bashkëshortit të saj Artan Gaçi i cili ka marrë statusin “investitor strategjik”.

Të fundit