Flash News

E-TJERA

Pse politikat monetare të Eurozonës përcillen më pak në kursimet e shqiptarëve?

Pse politikat monetare të Eurozonës përcillen më pak në

Këtë vit, si asnjëherë më parë, normat bazë të interesit për lekun janë në nivele më të ulëta krahasuar me Euron.

Banka e Shqipërisë e ka ngadalësuar ndjeshëm ritmin e normalizimit monetar, kryesisht për shkak të forcimit të lekut në kursin e këmbimit. Këtë vit, norma bazë është rritur vetëm njëherë, në muajin mars dhe aktualisht ajo qëndron në nivelin 3%.

Nga ana tjetër, Banka Qendrore Europiane ka vijuar rritjen e normave të interesit me ritme të shpejta dhe norma bazë ka arritur nivelin më të lartë historik prej 4.5%.

Megjithatë, për momentin qasjet e ndryshme të bankave qendrore nuk janë transmetuar në normat e interesit të depozitave në sektorin bankar shqiptar. Normat e interesit për Euron ngelet në nivele ndjeshëm më të ulëta se për lekun.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, për muajin qershor norma mesatare e interesit për depozitat e reja në euro ishte 0.74%, nga 0.82% që ishte në muajin maj dhe 0.71% që kishte qenë në fund të vitit 2022.

Për Lekun, norma mesatare e interesit të depozitave me afat ishte 1.46%, nga 1.56% për majin dhe 1.43% që kishte qenë në fund të vitit 2022.

Megjithëse rritja e interesave të depozitave është frenuar ndjeshëm edhe për lekun, normat e interesit të depozitave në monedhën vendase mbeten më të larta.

Përcjellja e ndryshme e lëvizjeve të politikës monetare për lekun dhe euros mund të shpjegohet me disa arsye.

Në monedhën lekë, normat e interesit të depozitave ndjejnë konkurrencën e instrumenteve të borxhit të qeverisë, që janë një alternativë investimi me rrezik të ulët dhe me kthim të kënaqshëm. Kjo konkurrencë u bë më shumë se kurrë e qartë në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, kur rritja e shpejtë e yield-eve solli një dyndje të individëve drejt investimit në këto instrumente.

Për sa I takon Euros, tregu i brendshëm nuk ofron alternativa financimi me karakteristika të ngjashme. Paratë në monedhën europiane përgjithësisht mbahen në depozita bankare. Depozitat në euro në dy vitet e fundit janë rritur me ritme dyshifrore vjetore, pavarësisht normave të ulëta të interesit.

Një arsye tjetër pse bankat paguajnë më pak për depozitat në euro janë edhe politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë, në funksion të strategjisë së deeuroizimit.

Megjithëse normat e interesit në 12 muajt e fundit janë rritur ndjeshëm, banka qendrore vazhdon të aplikojë një normë remunerimi të rezervës së detyrueshme në euro në nivelin 0. Për rezervën e detyrueshme në lekë, norma e remunerimit ka arritur në 3%, në të njëjtin nivel me normën bazë të interesit.

Rezerva e detyrueshme konsiston në një pjesë të caktuar të detyrimeve që bankat janë të detyruara t’i mbajnë të papërdorura pranë bankës qendrore.

Gjithashtu, që prej shkurtit të vitit 2018, niveli I rezervës së detyrueshme në valutë të huaj është ndjeshëm më i lartë krahasuar me atë në lekë.

Rezerva e detyrueshme është në masën e 12.5% për detyrimet në valutë, kur këto zënë nën 50% të totalit dhe 20% për pjesën e detyrimeve në valutë mbi 50% të totalit.

Ndërsa rezerva e detyrueshme është 7.5% për detyrimet në lekë me afat maturimi jo më të

gjatë se 12 muaj dhe 5% për detyrimet në lekë me afat fillestar më të gjatë se 12 muaj deri në 2 vjet.

Gjithashtu, bankave iu kërkohet një mbulim më i madh me kapital për aktivet (kryesisht kreditë) e ekspozuara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit (kur huamarrësi i ka të ardhurat në një monedhë të ndryshme nga ajo e kredisë).

Të gjithë këta faktorë e bëjnë Euron më të kushtueshme për bankat tregtare dhe nxisin aplikimin e normave më të ulëta të interesit për depozitat në monedhën europiane./MONITOR

Të fundit