Flash News

E-TJERA

Publikimi i pamjeve të plagosjes së Martin Canit/ Prokuroria e Tiranës nis hetim penal: U zbuluan provat

Publikimi i pamjeve të plagosjes së Martin Canit/ Prokuroria e

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka regjistruar një procedim penal për veprën penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal, pas publikimit në media të pamjeve filmike nga ngjarja tragjike ku humbi jetën i mituri Martin Cani.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, bëhet fjalë për një video të shpërndarë në disa portale dhe media, e cila përmban pamje filmike të datës 18 nëntor 2024, ku shfaqen të mitur me emra dhe të dhëna identifikuese përkrah secilit. Këto pamje, sipas organit të akuzës, janë pjesë e provave të administruara në fashikullin hetimor dhe janë përdorur në procesin gjyqësor që po zhvillohet aktualisht me dyer të mbyllura në Gjykatën e Tiranës.

Prokuroria thekson se pamjet janë të njëjta me ato që ndodhen në një CD të administruar si provë materiale nga kamerat e sigurisë në zonën përreth shkollës “Fan Noli”, ku ndodhi ngjarja. Kjo CD i është dorëzuar mbrojtësit të familjes së viktimës vetëm pasi ka firmosur një deklaratë për mospublikimin e materialeve.

Publikimi i videos përbën shkelje të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale, i cili ndalon publikimin e provave që janë pjesë e një procesi gjyqësor me dyer të mbyllura, si dhe shkelje të të drejtave të të miturve që janë përfshirë si viktima, të pandehur apo dëshmitarë.

Prokuroria vlerëson se ka të dhëna të mjaftueshme që të provohet konsumimi i veprës penale në fjalë dhe ka nisur hetimet për të identifikuar personat përgjegjës për rrjedhjen dhe publikimin e materialeve të ndaluara nga ligji.

Të fundit