Flash News

E-TJERA

Publikimi online, studiuesi: Fjalori, nismë politike, s'reflekton pasurinë gjuhësore të shqipes

Publikimi online, studiuesi: Fjalori, nismë politike, s'reflekton

Studiuesi dhe publicisti Gjergj Erebara ka folur mbi polemikat që kanë lindur pas publikimit online të Fjalorit të madh të gjuhës shqipe.

Në një intervistë për Euronews, Erebara kritikon mënyrën e publikimit të fjalorit, duke theksuar se formati online, i ndërtuar si motor kërkimi, e bën të pamundur një gjykim të plotë të tij si një vepër klasike gjuhësore.

“Mënyra se si është publikuar fjalori nuk lë mundësi që të lundrosh mbi të si një fjalor klasik. Kështu, mund të gjykojmë vetëm për ato fjalë që kemi parë, por jo për tërë fjalorin,” shprehet ai.

Sipas tij, disa fjalë të përfshira ende mbartin gjurmë ideologjike të kohës staliniste, ndërkohë që përfshirja e disa dialekteve dhe fjalëve të reja është e mangët.

Erebara vë në dukje gjithashtu përdorimin e disa termave fyese, si “çifut”, të cilat janë të papërshtatshme në komunikimin modern, dhe mungesën e fjalëve të rëndësishme për jetën politike dhe kulturore të vendit.

Ai nënvizon se fjalori nuk duhet të jetë produkt i nismave politike apo i reagimeve të momentit, por rezultat i një pune të përhershme gjuhësore me rregulla të qarta dhe regjistra të dokumentuar të ndryshimeve.

Fjalori, i cili u prit fillimisht si një nga arritjet më të rëndësishme gjuhësore të dekadave të fundit, regjistroi mbi 1.2 milion klikime vetëm në javën e parë, duke treguar interes të lartë publik. Megjithatë, ai u kthye shpejt në qendër të një debati mes studiuesve, gjuhëtarëve dhe opinionit publik.

 

 

Të fundit