Flash News

E-TJERA

Publikohen pamjet e aksionit antidrogë Shqipëri-Finlandë: 9 të arrestuar, 2 ende në kërkim

Publikohen pamjet e aksionit antidrogë Shqipëri-Finlandë: 9

Policia e Shtetit ka publikuar pamje nga operacioni i zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet finlandeze dhe SPAK, që çoi në shkatërrimin e disa grupeve kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës. Në video shihen momentet kur anëtarët e grupeve kriminale ndalohen dhe vendosen në pranga.

Operacioni është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe është finalizuar me ekzekutimin e 9 prej 11 masave të sigurisë të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Ndaj një shtetasi ende vijojnë kërkimet brenda territorit të Shqipërisë, ndërsa një tjetër ndodhet jashtë vendit, ku autoritetet po punojnë për lokalizimin dhe kapjen e tij në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Në kuadër të këtij aksioni, janë sekuestruar 8 automjete, një sasi e konsiderueshme telefonash celularë dhe dokumente me vlerë hetimore, kryesisht në gjuhën finlandeze. Këto materiale konsiderohen prova kyçe për vijimin e hetimeve penale dhe hetimit pasuror ndaj të përfshirëve.

Sipas njoftimit zyrtar, në operacion u angazhuan rreth 110 efektivë të Policisë së Shtetit, përfshirë Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, Forcën e Posaçme Operacionale dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, në bashkëpunim me drejtoritë vendore të Tiranës, Beratit, Vlorës dhe Gjirokastrës.

SPAK dhe Policia e Shtetit nënvizojnë se operacioni është rezultat i një hetimi të gjatë në bashkëpunim me autoritetet finlandeze dhe ka si synim goditjen e rrjeteve të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, si dhe sekuestrimin e pasurive të paligjshme që burojnë nga veprimtaria kriminale.

Hetimet vijojnë në të dyja shtetet, si në Shqipëri ashtu edhe në Finlandë, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit të këtyre grupeve dhe ndëshkimin e të gjithë personave të përfshirë.

Të fundit