Flash News

E-TJERA

Punësimi i pensionistëve nuk njeh pandemi, rritje me 1,2% në tremujorin e dytë

Punësimi i pensionistëve nuk njeh pandemi, rritje me 1,2% në
Foto Ilustruese

Tregu i punës u ndesh me vështirësi sidomos në tremujorin e dytë të këtij viti si pasojë e efekteve negative të masave kufizuese për shkak të pandemisë, por punësimi i pensionistëve nuk u ndikua.

Përkundrazi në kulmin e karantinës (prill-qershor) kur mijëra persona në moshë punë mbetën të papunë, numri pensionisteve që punonin u rrit me 1.2 për qind në krahasim me tremujorin e parë, sipas të dhënave të INSTAT.

Në tremujorin e dytë të vitit 2020 ishin të punësuar 64, 218 persona ose mbi 64 vjeç ose 769 më shumë se në tremujorin e parë.

Plakja e popullsisë, rritja e jetëgjatësisë dhe emigrimi i lartë i të rinjve, po bën që gjithnjë e më shumë persona në moshë pensioni të jenë të integruar në tregun e punës. Kjo tendencë u pa edhe në pjesëmarrjen e moshës mbi 64 vjeç në forcën e punës, e cila arriti në 15,6 për qind në tremujorin e dytë me një rritje 1 pikë përqindje në raport me tremujorin e parë. Që nga viti 2015 pjesëmarrja në forcën e punës të personave mbi 64 vjeç është dyfishuar.

Popullsia e Shqipërisë po plaket me shpejtësi dhe në shumë se sektorë mosha mesatare e punonjësve po kalon mbi 50 vjeç. Nevojat gjithnjë e më të mëdha për punonjës në disa sektorë, po shtyn moshën e tretë drejt tregut të punës. Një pjesë e madhe e tyre sipas të dhënave të INSTAT janë të vetëpunësuar pa pagesë në bizneset e familjes.

Për të nxitur dëshirën për punë në moshat mbi 65 vjeç qeveria miratoi një skemë shpërblimi në vitin 2018, e cila nuk është vënë ende në zbatim për shkak të mungesës së udhëzimeve.

Në vendimin e qeverisë u vendos që për çdo vit pune, pensionisti që punon të marrë një shtesë mbi pension e caktuar prej 2.4 %në vit.

Mosha e tretë do të përfshihet gjithnjë e më shumë në tregun e punës në Europë dhe Shqipëri, për shkak se, rritja e rritja e jetëgjatësie i bën efecientë personat edhe mbi moshën 65 vjeç. Gjithashtu zhvillimi i teknologjisë mund të stimulojë punën në distancë për personat e moshës së tretë, të cilët mund të ndajnë përvojat e tyre sidomos në mësimdhënie, financë dhe shumë profesione të tjera.

Pensionistet që punojnë lehtësojnë skemat e sigurimeve shoqërore të cilat paraqiten mjaft të rënduara nga procesi i plakjes së popullsisë.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore parashikon se në tre vitet e ardhshme, 2020-2022 numri i pensionistëve që shtohen në skemën e sigurimeve shoqërore arrijnë në 48 mijë me një shtesë vjetore mesatarisht 16 mijë pensionistësh të rinj në vit.

Për shkak se këtë vit popullsia e vendit do të futet në procesin e plakjes së shpejtë të popullsisë, numri i pensionistëve do të rritet në vijim me ritme më të shpejta./monitor

Të fundit