Flash News

E-TJERA

Punoi në ‘fermën’ e kanabisit, rrëfen ish-punonjësja: Na pëlqeu leku! Shefat kishin kode kur na lajmëronin për policinë

Punoi në ‘fermën’ e kanabisit, rrëfen

Një serë kanabisi u zbulua policia dy muaj më parë në Berat, ndërsa u arrestuan 80 gra dhe vajza që punonin aty.

Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, një grua që ka qenë ish-punëtore në punishtet e kanabisit, ka rrëfyer në Euronews Albania përvojën e saj, e cila disa vite më parë, është detyruar të punojë në përpunimin e kanabisit.

Ajo u shpreh se paguhej 1500 lekë për përpunimin e 1 kg kanabis, teksa shtoi se u detyrua ta bëne një punë të tillë, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike.

“Lamë shtëpinë, fëmijët, na detyronte halli. Brenda ishim të ngujuara, me familjarët flisnim në telefon në darkë, jo gjatë orarit të punës.  Bëhet fjalë për vitin 2016, në fakt në zonën tonë nuk ishte mbjellë kurrë dhe nuk njihej se çfarë ishte. Na e mësuan si përpunohet, si qethet, si rregullohet, çfarë forme duhet të vinte boçja. E fusnim në qese që e peshonim.

Pastaj ata e hidhnin vetë në thasë dhe nuk e di se ku e dërgonin. U detyruam të shkonim të punonim për lekë. Pa punë unë, burri, djali, u detyruam. Punuam 2 muaj, shtator deri në fund të nëntorit. Në jug. Me orar të zgjatur punonim, me kushte të vështira, ftohtë ishte. Në kasolle punonim. Që punonim bashkë ishim 10, por ishin pafund”, theksoi ajo ndër të tjera.

Gruaja theksoi se kur kishte indicie për kontrolle, ato e fshehnin lëndën narkotike në pyll, madje atje fshiheshin dhe vetë për t’i shpëtuar uniformave blu.

“Ata flisnin me kode, s’është s’e merrnim vesh shumë. Ne e kuptonim, na thoshin kur do vinte policia dhe e hiqnim mallin e çonim në pyll.

Atje ku kam parë unë, kanabisi mbillej shumë larg në pyll. Zona të thella, ku vinin deri në një farë pike me makina dhe pastaj me këmbë. Zona ku nuk shkonte dot makina. Kur na lajmëronin ne, ne fshiheshim në pyll ose kush kishte mundësi kthehej në shtëpi”, u shpreh ajo.

 

Të fundit