Flash News

E-TJERA

Pyetja për Xhaçkën që acaroi Ramën, kryeministri vazhdon me 'riedukimet', sulmon gazetarin

Pyetja për Xhaçkën që acaroi Ramën, kryeministri

Konferenca për shtyp e kryeministrit Rama u shoqërua me një incident mes tij dhe gazetarit të A2 CNN, Klevin Muka. Ishte pyetja e Mukës drejtuar ministres Olta Xhaçka që acaroi kryeministrin.

Muka, teksa iu referua Kodit Etik të Këshillit të Ministrave që ndalon takimet e kabinetit me biznesmenë pa praninë e punonjësve të administratës, pyeti Xhaçkën nëse e ka respektuar apo jo ligjin.

Kjo shkaktoi acarim te Rama i cili kërkoi që Muka të kalojë në riedukim për 3 muajt e ardhshëm, njësoj sikurse bëri edhe me gazetaren e Syri Tv Ambrozia Meta. Kryeministri e akuzoi për herë të dytë gazetarin për shkelje të kodit etik të gazetarisë, ndërsa vetë Muka i përsëriti pyetjen duke i thënë se ishte vetë kryeministri që e kishte deklaruar muaj më parë.

Kjo është hera e dytë që kryeministri i ndalon fjalën gazetarit Klevin Muka. Debati i parë ndodhi gjatë një konference për shtyp ku Rama ishte krah ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.

“Politika duhet të ketë dhe moral,” tha Muka, “po sa e moralshme është që ju të mund ti bëni ju këto kërkesa ndaj drejtësisë duke mbajtur në krah Ulsi Manjën që ka dalë në përgjime duke i premtuar favore në punësim njerëzve si Robert Aga që kanë punuar elektoralisht për partinë socialiste. Sot zoti Manja është ministër i drejtësisë dhe jo para drejtësisë”, tha gazetari. 

“Pse qesh”, i tha Rama gazetarit duke shtuar se pyetja që ai bëri ishte krejtësisht jashtë etikës profesionale”.

Ndërkaq Muka iu përgjigj Ramës duke i thënë: “Etikën profesionale nuk mund të ma mësoni ju. Nëse në shkollën e pikturës mësohet etika profesionale më shumë se në shkollën e gazetarisë atëherë mund të vazhdoni”.

Pjesë nga biseda:

Gazetari: Më 29 Prill të këtij viti ka hyrë në fuqi kodi etik për Këshillin e Ministrave i cili ndalon dhe parashikon sanksione deri në largim nga detyra për ministrat që e shkelin. Një nga pikat e këtij kodi është që ministrat nuk duhet të takohen me biznesmenë dhe duhet të takohen vetëm kur janë në kushtet kur janë në praninë e dy punonjësve të administratës. Ju personalisht e keni respektuar këtë pikë? A e keni takuar bashkëshortin tuaj biznesmen dhe strategjik nën shoqërinë e dy punonjësve të administratës apo e keni shkelur kodin etik?

Rama: Dëgjo. Tani këtu përgjigjen ta jap unë. Do kalosh në riedukim si Ambrozia në tre muajt e ardhshëm. Nuk je i mirëseardhur në asnjë konferencë shtypi.

Gazetari: Pa problem. Kodi Etik për çfarë është bërë? A do të zbatohet apo jo? Kjo ishte pyetja ime dhe nuk e kuptoj se çfarë ka këtu, nëse vetë ju keni thënë që do të ketë sanksione për ata ministra që nuk zbatojnë kodin etik

Rama: Kjo është një tjetër shkelje e kodit etik të një gazetari në një konferencë shtypi që vazhdon me mikrofon dhe mban fjalime. Për pyetje të përsëritura pa asnjë etik ka një proces që quhet riedukim. 3 muaj. Kështu që përgjigjen e radhës t’i do ta marrësh pas 3 muajsh. Në konferencën e tetorit je i mirëpritur për të marrë atë përgjigje. Sepse në kodin etik të gazetarit ka një normë shumë të thjeshtë që quhet respekt.

Të fundit