Flash News

E-TJERA

“Qeveria kontrollon informacionin”/ Raporti: Media shqiptare vuan mungesën e lirisë. Policia ka dhunuar gazetarët dhe operatorët

“Qeveria kontrollon informacionin”/ Raporti: Media shqiptare vuan

Liria e medias në Shqipëria ka pasur sërish problematika në vitin 2021. Kjo si pasojë rritjes së kontrollit nga ana e qeverisë në rrjedhën e informacionit, ndërkohë që "veprimet e rënda" të policisë ngritën gjithashtu shqetësime.

Kështu janë gjetjet e raportit të Institutit Ndërkombëtar të Shtypit për 2021-shin, i cili ka konstatuar shkelje të të drejtave të punonjësve të medias edhe në vende të tjera të Europës.

“Liria e medias në Shqipëri vuajti në vitin 2021 për shkak të shqetësimeve për forcimin e mëtejshëm të kontrollit të qeverisë mbi rrjedhën e informacionit. 14 alarme u ngritën nga 24 individë ose subjekte mediatike të prekura”, thuhet në raport.

Ky i fundit evidenton disa raste të dhunës së policisë ndaj punonjësve të medias, një tendencë që ka ardhur në rritje vitet e fundit. Kjo përfshin përdorimin e forcës ndaj gazetarëve dhe operatorëve nga efektivët, ndërsa punonjësit e medias ishin duke bërë punën e tyre.

Sipas gjetjeve të fundit, “gazetarët në Shqipëri vazhdojnë të operojnë në një klimë jashtëzakonisht të vështirë” veçanërisht kur përpiqen të kenë akses në informacion.

Agjencia për Mediat dhe Informim, nismë e kryeministrit Edi Rama, sipas raportit do të centralizojë të gjithë komunikimin dhe rrjedhën e informacionit me median.

Kufizimet e aktivitetit të gazetarëve në parlament dhe aksesi i tyre tek deputetët me anë të rregullave të reja përkeqësuan gjithashtu mjedisin për lirinë e medias.

Shqipëria aktualisht renditet e 84-ta në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, një renditje që ka rënë me nëntë vende që nga viti 2018.

Burimi: Euroactiv

Të fundit