Flash News

E-TJERA

Qeveria lë në hije aksionin e konfiskimeve, asnjë rast i deklaruar prej dy javësh

Qeveria lë në hije aksionin e konfiskimeve, asnjë rast i

Operacioni që u prezantua dhe nisi me aq bujë nga vetë kryeministri Edi Rama, ka mbetur ‘mister’ ashtu sikurse katet shtesë të pallatit 9-katësh, për të cilin ministrja e Energjetikës Belinda Balluku tha se ishin ‘mister’ për mënyrën e ndërtimit.

Rama në prezantimin e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullako i bëri thirrje këtij të fundit të mos lejonte lulëzimin e kateve shtesë të ngritura pa leje, teksa i tërhoqi veshin autoriteteve.

Pra, qeveria ndërmori aksionin e konfiskimit të shtesave pa leje, për të cilin deri tani ka deklaruar dy raste të konfiskimeve.

“Është e papranueshme që të lulëzojnë katet dhe shtesat pa leje në pallatet që të kamurit ndërtojnë sa në det, sa në rërë, sa edhe në mes të Tiranës, sa edhe këtu ngjitur me Sheshin Skënderbej, që vetëm nuk bërtet pallati, shihni sa u zgjata o njerëz me mendje të shkurtër. Reagim të menjëhershëm, të pamëshirshëm kundër këtyre pasunarëve që shkelin ligjin. E kanë bërë vijën e ligjit si litar që kërcejnë me lloj-lloj marifetesh, qytetarëve u tregojnë dhëmbët dhe pasanikëve u puthin këmbët”, u shpreh Rama.

Detyrën për mbështetjen e operacionit, Rama ja delegoi Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të identifikonte ndërtesat që janë bërë në shkelje të ligjit.

Një ditë pas urdhrit të Ramës. Belinda Blaluku u shfaq në një pallat 9-katësh në zonën e Farkës nga ku deklaroi se ishte ‘mister’ mënyra se si është lejuar ndërtimi kateve pa leje.

“Ky është shembulli më flagrant, simbolikë e shkeljes së ligjit. 9 kate ndërtim pa asnjë letër. Se si ka ndodhur, është mister për ne”, tha Balluku.

Pas saj, radha ishte e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi i cili po nga zona e Farkës ndodhej pranë një objekti me 1200 metër katrorë shtesë pa leje. “Grupet po vazhdojnë të identifikojnë në të gjithë Tiranën dhe aksioni do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Çuçi.

Kanë kaluar rreth tre javë nga deklarata e Ramës dhe operacioni i ‘zhdukjes’ së kateve shtesë apo shkeljeve të ligjit, nuk duket askund. Aksioni i konfiskimit ka mbetur pezull ose të paktën deri tani, nuk ka asnjë dalje publike apo deklaratë nga autoritetet përkatëse.

Të fundit