Flash News

E-TJERA

Qeveria miraton standardet për kultivimin e kanabisit mjekësor

Qeveria miraton standardet për kultivimin e kanabisit mjekësor

Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë një vendim që përcakton standardet për zonat dhe parcelat e tokës ku do të lejohet kultivimi i bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale.

Sipas vendimit, kultivimi do të jetë i ndaluar në:

Zonat e mbrojtura dhe ato me përparësi zhvillimin e turizmit.
Pyje, kullota, livadhe dhe zonat ushtarake.
Zonat urbane, sipas dokumenteve të planifikimit vendor të territorit.
Gjithashtu, parcelat duhet të jenë të paktën 3 km larg nga parqet e bletëve dhe zonat ushtarake. Përqendrimi i metaleve të rënda në tokë duhet të jetë brenda kufijve të lejuar për të siguruar cilësinë e kultivimit.

Procesi i kultivimit do të ndjekë standardet ndërkombëtare për praktikat e mira bujqësore dhe të grumbullimit, duke garantuar përdorimin mjekësor dhe industrial të sigurt të kanabisit.

Ky vendim synon të vendosë rregulla të qarta për të shmangur abuzimet dhe për të promovuar përdorimin e kontrolluar të bimës në industrinë mjekësore dhe ekonomike.

Vendimi: 

2. Standardet për zonat dhe parcelat e tokës për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore janë:

a) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që nuk mund të shtrihen brenda kufirit të zonave:

i. të mbrojtura e të zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, të shpallura si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave;

ii. të pyjeve, kullotave dhe livadheve;

iii. ushtarake;

iv. të përcaktuara si sistem urban në dokumentet e planifikimit vendor të territorit.

b) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 (tre) km, në rrugë ajrore nga parqet e bletëve, të miratuara sipas legjislacionit për bletarinë;

c) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 km në rrugë ajrore nga zonat ushtarake dhe pasuritë/pronat në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes;

ç) përqendrimi i metaleve të rënda në tokë apo në terrene kultivuese (substrakte kultivuese), ku kultivohet cannabis-i për qëllime mjekësore, që nuk duhet të kalojë vlerat maksimale, të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;

d) toka apo terrenet kultivuese (substraktet kultivuese), ku kultivohet cannabis-i mjekësor, që duhet të plotësojnë standardet e parashikuara në udhëzuesit për praktikat e mira bujqësore e të grumbullimit të Agjencisë Evropiane të Barnave dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe në standardet e parashikuara nga Organizata Ndërkombëtare për Standardizim (ISO).

3. Standardet për zonat dhe parcelat e tokës për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime industriale janë:

a) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që nuk mund të shtrihen brenda kufirit të zonave:

i. të mbrojtura dhe të zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, të shpallura si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave;

ii. të pyjeve, kullotave dhe livadheve;

iii. ushtarake;

iv. të përcaktuara si sistem urban nga dokumentet e planifikimit vendor të territorit.

b) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 (tre) km në rrugë ajrore nga parqet e bletëve, të miratuara sipas legjislacionit për bletarinë;

c) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 (tre) km në rrugë ajrore nga zonat ushtarake dhe pasuritë/pronat në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.

4. Në rastet kur, për ushtrimin e aktivitetit parashikohet kryerja e ndërhyrjeve ndërtimore në parcelën e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, ndërtimi kryhet sipas përcaktimeve të legjislacionit të planifikimit dhe zhvillimit të territorit.

5. Në rastet, kur parcela e tokës përdoret për kultivimin e cannabis-it për qëllime mjekësore apo industriale, ajo duhet të jetë e pajisur me aktin e fitimit të pronësisë, në zbatim të përcaktimeve të Kodit Civil dhe të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.

6. Standardet e parashikuara në pikat 2, shkronjat “a”, nënndarja “iv”, dhe “b”, e 3, shkronjat “a”, nënndarja “iv”, dhe “b”, të këtij vendimi, nuk aplikohen kur kultivimi kryhet në ambiente të mbyllura.

7. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it dhe subjektet e licencuara dhe me leje për zbatimin e këtij vendimi.

Të fundit