Flash News

E-TJERA

Qeveria nënvlerëson qëndrimin e BE, shpall konsultime me bizneset për draftin e Amnistisë Fiskale

Qeveria nënvlerëson qëndrimin e BE, shpall konsultime me bizneset

Qeveria shqiptare do të hedhë për konsultim projektligjin për Amnistinë Fiskale. Në kuadër të kësaj, qeveria i ka dërguar ftesë një grupi përfaqësuesish biznesi për të marrë pjesë në një konferencë më 15 korrik.

BIRN raporton se në konferencën e cila do të mbahet në Pallatin e Kongreseve, do të jetë i pranishëm kryeministri Edi Rama. Lajmi konfirmohet nga një burim i organizatave të ftuara për konsultim.

“Nën patronazhin e kryeministrit të Shqipërisë Z. Edi Rama, Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, ka kënaqësinë e pjesëmarrjes tuaj në një takim konsultativ publik në kuadër të miratimit të projektligjit “Për Amnistinë Fiskale dhe Penale për subjektet e Deklarimit Vullnetar të Pasurisë”.

Nisur nga rëndësia që ky projektligj paraqet për zhvillimin ekonomik të vendit, do të vlerësonim shumë praninë tuaj dhe do të dëshironim të përdornim këtë mundësi për të ndarë pikëpamjet dhe opinionet tona të përbashkëta me të gjithë palët e interesuara, në kuadër të miratimit të këtij projektligji duke synuar në zbatimin më të mirë të tij,” shkruhet në ftesë.

Kujtojmë se Komisioni Evropian ngriti shqetësime për draftin e Amnistisë Fiskale. Përfaqësuesit e KE-së gjatë takimit të 13-të të Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë mbajtur më 29 qershor në Bruksel, vlerësuan se drafti në fjalë mund të vendosë në rrezik reputacionin e vendit.

“Komisioni nënvizoi shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ai do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore. Për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin,” thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.

Ligji për Amnistinë Fiskale parashikon vetëdeklarim të pasurive deri në 2 milionë euro.

Çdo person që deklaron të ardhurat e tij do të paguajë nga 7% deri në 10%. Konkretisht, nëse vetëdeklarimi realizohet në 4 muajt e parë pas hyrjes në fuqi të ligjit tatimi do të jetë 7% . Pas afatit 4 mujor, tatimi do të jetë 10%.

Të fundit