Flash News

E-TJERA

Qytetarit i kërkohet të paguajë 2 milionë e gjysmë, për një matës inekzistent

Qytetarit i kërkohet të paguajë 2 milionë e gjysmë,

Rexhep Bruçi, një qytetar nga Burreli tregon në emisionin “Stop” në Tv Klan se e detyrojnë, që të paguajë një detyrim 2 milionë e gjysmë lekë, për një matës energjie, që nuk i përket.

Bëhet fjalë për një pajisje të vitit 2014, për të cilën është lajmëruar në vitin 2018.

“Mua më ka vënë OSHEE në Burrel një sahat në ngarkim pa ekzistuar ai sahat dhe unë jam debitor që nga viti 2014 dhe deri më sot, me një vlerë rreth 2 milionë e gjysmë lekë (të vjetra). Në vitin 2018 më ka thënë që ti je debitor ndaj OSHEE-së. Kam dy matës të cilët i kam të rregullt dhe i paguaj, një e kam në qytet dhe një e kam në fshat. Unë kërkoj që të më hiqet shuma në fjalë, derisa të verifikohen të gjitha dokumentet që ai sahat as nuk është vënë asnjëherë dhe as nuk është kontraktuar asnjëherë.

Kam shkuar disa herë tek zyrat dhe më kanë thënë që ti duhet të shkosh në gjyq. Kërkesa ka shkuar në drejtorinë e OSHEE-së në Tiranë dhe më kanë kthyer përgjigje që nuk pranohet kërkesa juaj. Një drejtues i parë ka thënë që të anulohet kjo kontratë, e kam edhe me shkrim, kurse këto të tjerat nuk janë anuluar fare dhe sot e kësaj dite ajo vazhdon e ec si kontratë”, tregon denoncuesi.

Sipas disa përgjigjeve të interesimit të tij, ish-administratori i ka dhënë të drejtë qytetarit dhe kishte urdhëruar fshirjen nga sistemi për kontratën dhe detyrimet.

Por, një përgjigje e re i shpjegon po nga ish-administratori, që të ndjekë rrugë të tjera pasi nuk është ankuar brenda një viti.

Koordinatori i FSHU Burrel, Erald Ballabani, thotë se kërkesën e Rexhepit, do ia nisë sërish institucionit qendror.

“Për rastin në fjalë, ku zoti Rexhep Bruçi pretendon për kontratat që nuk janë të tij. Është marrë dokumentacioni dhe do të çohet në qendër që të shikohet përsëri si ankesë. Edhe si ankesë është që ish-administratori i ka dhënë një përgjigje dhe besoj se do i kthejmë një përgjigje zotërisë. Duhet të jetë ndonjë anomali në dublim kontrate. Ankimi i zotërisë do të ndiqet nga drejtoria qendrore”, tha koordinatori i FSHU Burrel, Erald Ballabani.

Por megjithëse kanë kaluar muaj, asgjë nuk është bërë./tvklan.al

Të fundit