Flash News

E-TJERA

Rama kërcënoi drejtësinë, Manjani: Ulni menderen e bëni diçka, se padrejtësia është masive jo selektive!

Rama kërcënoi drejtësinë, Manjani: Ulni menderen e bëni

Juristi Ylli Manjani ka komentuar deklaratat e kryeministri Edi Rama këtë të mërkurë në raport me arrestimin e kryebashkiakut, Erion Veliaj dhe hetimin ndaj kryetares së Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.

Teksa i kujton kryeministrit fatin e dhjetëra personave që gjenden pas hekurave pa u pyetur kurrë, Manjani përmes një statusi në rrjetet sociale thekson se kryeministri nuk duhet të shkumëzojë për arrestet pa prova e pa gjyq, por të hartojë ligje demokratike, e jo ligje që lejojnë vendime sipas qejfit.

Reagimi

Sa për informacion:

Paraburgimi është plot me persona që nuk u pyetën kurrë, para se ndaj tyre të zbatohej masa e arrestit. Klotilda Bushka, të paktën është e lirë dhe pa masë sigurie.

Në të gjitha institucionet ku janë akomoduar të paraburgosurit ka rradhë të gjata me gra e fëmijë të mitur që presin të takojnë baballarët e tyre. Asnjë fëmije nuk i urohet ky fat, me thënë të drejtën! Pa dyshim as fëmijës së Erionit.

Siç kam thënë aplikimi i arrestit me burg jashtë kontekstit të flagrancës dhe, ndaj personave jo të pandehur konsiderohet heqje e lirisë pa prova. Një pjesë të fajit e ka drejtësia, por edhe ligji ka gropë të madhe në këtë gjë. Kryeministri të mos shkumëzojë hiç për arrest pa prova e pa gjyq, por të hartojë ligje demokratike që të kenë llogjikë e kuptim, jo ligje që lejojnë tenjën e rradhës të marrë vendime sipas qejfit.

Tani, Kryeministrit i them: ëelcome to my club!

Por në dallim nga unë e ca si unë, ai duhet të shtrojë menderen e të bëjë ligje për të qenë. Duhet ta bëjë këtë gjë bashkë me këta kakofonikët e opozitës.

Nuk është zgjidhje etiketimi "dumdumani" apo "prokuror karagjoz"...

Ulni menderen e bëni diçka, se padrejtësia është masive jo selektive!

Të fundit