Flash News

E-TJERA

Rama për median italiane: Integrimi i Shqipërisë? BE është përçarë; përparësitë e mandatit të tretë

Rama për median italiane: Integrimi i Shqipërisë? BE

Kryeministri Edi Rama ka dhënë intervistë për median italiane “Huffington Post Italia” lidhur me strehimin e afganëve në hotelet e Durrësit dhe një pjesë në godinat e konvikteve në Qytetin Studenti.

Përpos temës së afganëve që është përfolur më shumë, Rama është pyetur edhe për fitoren e mandatit të tretë në zgjedhjet e 25 Prillit. Ai ka renditur disa nga pikat kyçe që i konsideron përparësi të qeverisë së re.

“Të dalim më të fortë nga tërmeti shkatërrues që na goditi para dhe nga pandemia që erdhi menjëherë pas; investimi në energjitë e rinovueshme, për t'u bërë në këtë dekadë një vend "eksportues neto" i energjisë; mbyllja e rrethit të dixhitalizimit të shërbimeve publike për të mbyllur të gjitha dyert e burokracisë torturuese dhe për ta përfunduar atë me të gjitha llojet e radhëve të pritjes; duke filluar këtë vit me gjuhën angleze në klasën e parë dhe duke transformuar të gjithë sistemin e njohurive të teknologjisë në shkollë; transformimin e tre porteve të vjetra tregtare në porte turistike dhe ndërtimin e dy aeroporteve të reja për ta çuar turizmin në një nivel tjetër, duke u përpjekur të shmangim gabimet e së kaluarës në zhvillimin e bregdetit; do përqëndrohemi edhe më shumë në rritjen e eksporteve të produkteve bujqësore etj. E gjithë kjo pa harruar kurrë se korrupsioni dhe burokracia paralizuese duhet të trajtohen pa pushim si armiq të sundimit të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve dhe se zhvillimi i vendit duhet të jetë zhvillim i qëndrueshëm dhe t'i shërbejë qëllimeve afatgjata të drejtësisë sociale”, është shprehur Rama.

Sa i përket rrugëtimit të Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, Rama ia atribuon fajin Be-së për shkak të ngërçit që është krijuar mes vendeve dhe jo punës që po bën Shqipëria.

“Pothuajse nuk ka të bëjë me ne dhe atë që bëjmë, por për ata dhe atë që i mundon. Bashkimi është në një ngërç me shenja mjaft shqetësuese të ndarjeve dhe përçarjeve të dukshme të brendshme. Duket se që nga kriza e madhe e refugjatëve e konfliktit në Siri ajo ka humbur jo vetëm një pjesë të saj të madhe, por edhe busullën e saj të orientimit kur bëhet fjalë për të menduar për zgjerimin në Ballkan. Sipas mendimit tim ky është shembulli më i qartë i të qenit peng i nacionalizmave në shtëpinë e tij, për të cilin më vjen keq sepse është një projekt i lindur pikërisht për të luftuar këto nacionalizma”, ka përfunduar Rama.

 

Të fundit