Flash News

E-TJERA

Raporti i Ambasadorëve të SHBA, Hughes kritika qeverisë: Kujdes kriminalitetin dhe korrupsionin, s'ka garë demokratike

Raporti i Ambasadorëve të SHBA, Hughes kritika qeverisë: Kujdes

Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë ka botuar këto ditë një raport pas vizitës fakt-mbledhëse gjatë vizitës në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori dhe përfaqësuesi i këtij grupi, Philip Hughes, ka treguar gjetjet kryesore të raportit duke theksuar se të treja shtete ballkanike kan bërë përparim të jashtëzakonshëm, por me disa rezerva.

Sa i përket Shqipërisë, Hughes e vendosi theksin tek korrupsioni, kriminaliteti dhe qeverisja e mirëfilltë demokratike, duke kërkuar që problemet të tejkalohen.

“Na ka bërë përshtypje të thellë përparimi që Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë bërë që nga shpallja e pavarësisë së tyre dhe përparimin që ka bërë Shqipëria, që nga përmbysja e regjimit brutal të Enver Hoxhës dhe rilindja si shtet demokratik. Njëkohësisht, na bëri përshtypje ndikimi i madh i fqinjëve në politikat e këtyre tre shteteve – rolin e madh që Serbia luan në skenën politike të Kosovës, rolin e madh që Bullgaria luan në skenën politike të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria e cila, siç e kuptuam, ka detyrim kushtetues të përkujdeset për mirëqenien e shqiptarëve jashtë kufijve të saj. U befasuam me aspiratën e këtyre shteteve për t’u bërë pjesëmarrës të plotë të komunitetit Euro-Atlantik dhe përparimit që kanë bërë për të realizuar këto qëllime. Njëkohësisht, në secilin rast, ato kanë pengesa për integrim në BE dhe në rastin e Kosovës edhe në NATO. Në rastin e Shqipërisë, çështjet e korrupsionit dhe kriminalitetit në njërën anë dhe problemet me një qeverisje të mirëfilltë demokratike nga anën tjetër, janë pengesa të shkaktuara nga vetë klasa politike e , Shqipërisë, që ky vend duhet t’i tejkalojë”, deklaroi Hughes.

I pyetur se si duhet të hartohen politikat amerikane me rajonin për të kapërcyer këto sfida, ambasadori Hughes u shpreh se do të vijojë dialogun me të treja shtetet.

Hughes nxiti qeverinë Rama të fokusohet tek korrupsioni, kriminaliteti dhe qeverisja duke theksuar se mungesa e garës së vërtetë demokratike do të kthehet në një pengesë për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

“Duhet të provojmë të vazhdojmë dialogun e ngushtë me të gjitha palët në rajon dhe natyrisht ta vazhdojmë praninë e forcave amerikane atje. Ne vizituam Kampin Bondsteel dhe jemi thellësisht të impresionuar me profesionalizmin e ushtrisë tonë dhe kontributin që ajo jep në rajon... Nxisim qeverinë e Shqipërisë që të vazhdojë përpjekjet për të tejkaluar dy sfidat që i përmenda. Është vështirë për një qeveri që ka avantazhet siç i ka qeveria e Kryeministrit Rama, avantazhet e krijuara për shkak të bojkotimit të zgjedhjeve të mëparshme nga Partia Demokratike, që ka një pozitë të tillë komanduese në aspektin elektoral, të nxisë garë të vërtetë demokratike dhe t’i japë hapësirë palës tjetër. Mungesa e garës së vërtetë demokratike do të shndërrohet në pengesë për Shqipërinë nga ata që hezitojnë ta pranojnë vendin në Bashkimin Evropian për arsye të ndryshme dhe nuk u duhen dhënë arsye të tjera”, u shpreh Hughes për VOA.

Të fundit