Flash News

E-TJERA

Raporti i KLSH: 5 raste me shkelje në procedurat e tenderimit në Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, dëmi që u shkaktua  

Raporti i KLSH: 5 raste me shkelje në procedurat e tenderimit në

Kontrolli i Lartë i Shtetit ushtroi auditimin e përputhshmërisë në Agjencinë Kombëtare të Bregdetit për periudhën 2016-2020.

Në përfundim të auditimit, grupi i auditimit  doli në një opinion të kualifikuar ku  rezultoi, ndër të tjera, se në raportin “Për përputhshmërinë e aktivitetit ekonomiko-financiar të institucionit” në Agjencinë Kombëtare të Bregdetit janë konstatuar shkelje e parregullsi, të cilat të ndara sipas fushave përkatëse, i përkasin kryesisht:

Zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive në fushën e menaxhimit bregdetar, duke mos miratuar një plan strategjik institucional, apo produkte të tjera në fushën e menaxhimit bregdetar;

Kryerja e procedurave të prokurimit me parregullsi, në lidhje me hartimin e dokumentacionit të tenderimit, si dhe gjatë procedurës së vlerësimit të ofertave;

Monitorimi i vijës bregdetare ka rezultuar me efektivitet të ulët, ku shumë probleme të konstatuara nuk kanë gjetur zgjidhje, duke ngelur në fazën e një informacioni;

Në fushën e zbatimit të projekteve IPA, nuk ka patur performancën e duhur në lidhje me përthithjen e fondeve, që përfitohen nga këto projekte, etj.

Sa i takon shkallës së zbatueshmërisë së rregullave, ligjeve dhe rregulloreve, politikave, kodeve të vendosura apo termave dhe kushteve, mbi të cilat realizohet veprimtaria, (kriteret e auditimit të përputhshmërisë), janë konstatuar mangësi dhe parregullsi:

- Aktiviteti i institucionit nuk ka qenë plotësisht efektiv në drejtim çështjeve që lidhen me planifikimin dhe realizimin e buxhetit, me mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës bregdetare, zbatimin e politikave e të strategjive për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare, në hartimin e politikave e të strategjive kombëtare për menaxhimin e integruar të bregdetit dhe bashkërendimin e punës për zbatimin e tyre, për bashkëpunimin me organet përkatëse për projektet dhe aktivitetet për mbrojtjen dhe zhvillimin e bregdetit dhe monitorimin e zbatimit të tyre, për monitorimin e respektimit të kritereve ligjore për kryerjen e veprimtarive turistike detare, të cilat zhvillohen në zonën bregdetare, etj;

- Nuk janë realizuar fondet e alokuara për 10 projekte, që variojnë nga 45 % - 60 %, kryesisht në zërin shpenzime operative,

- Llogaritë e inventarizuara, rezultojnë të barabartë pa diferenca ndër vite, duke mos nxjerrë jashtë përdorimit vlera materiale;

- Pamjaftueshmërinë në përmbushje të funksioneve si një institucion që ka impakt në fushën e turizmit dhe ndikon direkt në rritjen e sigurisë së jetës së qytetarëve që frekuentojnë plazhet.

- Mungesa e auditimeve të mëparshme ka ndikuar direkt në mirë menaxhimin e njësisë publike dhe mangësitë e evidentuara do të ishin minimizuar nga punonjësit e administratës së këtij institucioni.

- Nga zbatimi i kontratave për punë publike dhe blerje të vogla, në 3 raste janë konstatuar shkelje dhe parregullsi lidhur me plotësimin me dokumentacionin teknik, si dhe rezultojnë diferenca volumesh të pa realizuara, që kanë sjell si pasojë një dëm ekonomik me vlerë totale prej 48,325 lekë.

- Institucioni nuk është plotësuar me strukturat përkatëse të miratuara dhe ka rezultuar me mungesë të personelit, si drejtues ashtu edhe profesional, në nivel ekzekutiv, gjë e cila ka penguar ushtrimin e plotë të përgjegjësive dhe detyrave në fushën e menaxhimit bregdetar, duke mos miratuar një plan strategjik institucional, apo produkte të tjera në fushën e menaxhimit bregdetar.

- Veprimtaria ligjore e institucionit rezulton mjaft e kufizuar, duke vepruar thjeshtë si agjenci monitoruese, për rrjedhojë nuk është integruar me objektivat e Konventës të Barcelonës, kjo edhe për shkak të mungesës së një strategjie kombëtare, apo ligji të posaçëm për menaxhimin e integruar të bregdetit.

- Janë zhvilluar procedura prokurimi, ku në 5 raste, konstatohen parregullsi në lidhje me hartimin e dokumentacionit të tenderimit, si dhe gjatë procedurës së vlerësimit të ofertave në vlerën e përgjithshme 3,633,974, nga të cilat në 2 raste janë krijuar efekte negative në administrimin e fondeve publike në vlerën 2,398,064 lekë.

- Megjithëse janë kryer monitorime të vazhdueshme, ato kanë rezultuar me efektivitet jo të lartë dhe me mangësi në lidhje me organizimin dhe shfrytëzimin e kapaciteteve, pasi ka patur mungesë të burimeve njerëzore, sipas strukturave të miratuara të degëve rajonale.

- Institucioni(AKB) nuk ka patur performancë të mirë në zbatimin e projekteve IPA dhe nuk janë përthithur fondet me vlerë 356,698 euro nga tre projekte, kjo e mbartur dhe nga performanca jo e mirë e administratës vitit 2016-2019.

- Procedurat e tenderimit për ekspertizë të jashtme(për projekte të financuara nga BE), nuk janë zhvilluar në përputhje të plotë me rregullat e PRAG-ut (Guida praktike për procedurat kontraktues të jashtme të BE-së), etj.

Me Vendimin nr.83, datë 12.07.2021 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar raporti përfundimtar, ku janë rekomanduar 3 masa për përmirësim ligjor me fokus mbrojtjen e bregdetit dhe aksesit të qytetarëve në plazhet e vendit, 33 masa organizative, 4 masa për shpërblim dëmi dhe 2 masa për eliminimin e efekteve negative financiare.

Të fundit