Flash News

E-TJERA

Raporti i KLSH: 98% e stafit në arsim vijon të jetë i komanduar dhe pa procedura konkurrimi

Raporti i KLSH: 98% e stafit në arsim vijon të jetë i komanduar
Foto ilustruese

Departamenti i Auditimit të Institucioneve Qendrore i Kontrollit të Lartë të Shtetit auditoi veprimtarinë e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP) Durrës, për periudhën2019 -2020.

Sa i takon përputhshmërisë së veprimtarisë së DRAP Durrës me aktet ligjore dhe nën ligjore në fuqi, Kontrolli i Lartë i Shtetit dha opinion të kundërt. Nga auditimi i ushtruar ndër të tjera rezultoi se, 98% e stafit të DRAP dhe 12 ZVAP-ve nën juridiksionin e saj ishin të komanduar, (pra, pa procedura konkurrimi) çka nuk siguron kompetencën e stafit për pozicionet në të cilat janë komanduar.

Nga auditimi rezultoi se për një periudhë rreth 2 vjeçare (që prej miratimit të VKM-së nr. 99, datë 27.02.2019 e deri më sot), rreth 98% e stafit të DRAP dhe 12 ZVAP-ve nën juridiksionin e saj, vijon të jetë i komanduar, duke nisur që prej Drejtorit të DRAP Durrës, e deri tek punonjësit e ZVAP-ve, edhe pse në urdhrat e emërimit të përkohshëm të pozicioneve në punë nga Drejtori i Përgjithshëm i DRAP përcaktohet se komandimi do të jetë i përkohshëm deri në zhvillimin e procedurave të konkurrimit për pozicionet përkatëse. Vetëm emërimi i 8 drejtorëve të ZVAP Tiranë, Kavajë, Durrës, Krujë, Kamëz, Klos, Mat, Bulqizë ka qenë definitivë”, thuhet në raportin e KLSH.

Në procedurat për përzgjedhjen dhe shpalljen fitues të drejtuesve të shkollave parauniversitare u konstatuan problematika të shumta, të cilat kanë cenuar vlefshmërinë e të gjithë procesit, të shkaktuar si rezultat i mos analizimit nga DPAP dhe DRAP të zbatueshmërisë së kritereve që duhet të plotësojnë kandidatët për drejtor, trajtimit me dy standarde të kandidatëve për drejtor shkolle, planifikimit të dobët të zhvillimit të procedurave, kuadrit ligjor dhe rregullator të pa harmonizuar, etj. Gjithashtu, u konstatuan problematika në hartimin dhe realizimin e buxhetit, si dhe në ngritjen e sistemeve efektive të kontrollit të brendshëm në DRAP Durrës dhe ZVAP-e.

Në zbatim të Vendimit të Kryetarit, duke e konsideruar shkollimin parauniversitar me një rol kyç në drejtim të zhvillimi të personalitetit, talentit dhe aftësisë mendore e fizike të nxënësve, në përfundim të auditimit janë dhënë: 4 masa për ndryshime dhe përmirësime ligjore, 46 masa organizative, 5 masa për shpenzimet pa efektivitet dhe eficience, 1 masë për shpërblim dëmi, 8 masa disiplinore dhe 13 masa administrative.

Të fundit