Flash News

E-TJERA

Raporti i ri i Antimafias italiane: Mafia shqiptare po sfidon ‘Ndrangheta-n’

Raporti i ri i Antimafias italiane: Mafia shqiptare po sfidon

Një raport i ri nga Komisioni Antimafia në Liguria ka ngritur alarmin për një ndryshim thelbësor në botën e krimit të organizuar italian.

Sipas raportit i publikuar nga ANSA, mafia shqiptare ka arritur një nivel të tillë fuqie saqë tashmë konsiderohet një partnere e barabartë me organizatën famëkeqe ‘Ndrangheta’, veçanërisht në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Gjetjet u prezantuan nga kryetari i komisionit, Andrea Orlando, i cili theksoi se ky fenomen përbën një sfidë të re.

"Krahas kontrollit të hekurt të ‘Ndrangheta-s’, po shohim një rritje të rolit dhe autonomisë së mafies shqiptare, e cila po bëhet një prani gjithnjë e më e rëndësishme," deklaroi Orlando. Ai shpjegoi se kjo fuqi manifestohet në kontrollin e porteve për trafik droge dhe në aftësinë për të pastruar paratë e krimit duke i infiltruar në ekonominë e ligjshme.

Raporti mbështetet në të dhëna konkrete, siç është numri i lartë i sekuestrimeve të drogës në portet e rajonit. Këto shifra tregojnë se Liguria përbën 18.2% të totalit të sekuestrimeve në Itali, përqindja më e lartë për Italinë e Veriut.

Ndër operacionet më të mëdha të viteve 2022-2024 përfshihen sekuestrimi i 445 kg kokainë në Xhenova, 412 kg në La Spezia dhe mbi 1 ton drogë në dy operacione në Vado Ligure.

Pika kyçe e raportit është analiza e marrëdhënies së re mes dy organizatave. Nëse më parë mafia shqiptare shihej si një forcë dytësore, tani raporti flet për "një bashkëpunim të barabartë".

Krimi i organizuar shqiptar, theksohet në dokument, "ka braktisur gradualisht rolin e thjeshtë të krahut të punës për t'u specializuar në shërbime logjistike, duke menaxhuar marrjen, magazinimin dhe shpërndarjen e narkotikëve". Ky zhvillim, së bashku me një "autonomi operacionale në rritje", ka çimentuar statusin e tyre të ri në hierarkinë e krimit.

Të fundit