Flash News

E-TJERA

Raporti i RTSH/ Arkiva kombëtare në rrezik zhdukjeje dhe e pambrojtur nga sulmet kibernetike

Raporti i RTSH/ Arkiva kombëtare në rrezik zhdukjeje dhe e pambrojtur

Raporti i fundit i Radiotelevizionit Shqiptar  i paraqitur në Kuvend, zbardh një situatë kritike të infrastrukturës teknike të institucionit. Dokumenti thekson se mungesa e investimeve strategjike ka sjellë teknologjinë në kufijtë e kapacitetit, duke paraqitur një rrezik të drejtpërdrejtë operacional dhe duke kërcënuar cilësinë e shërbimit publik.

 Duke u ndalur te Arkiva e Radio Televizionit Shqiptar, raporti vë në dukje se po përballet me rrezikun e zhdukjes së përhershme, dhe çdo ditë pasiviteti e sjell më afër këtë humbje për trashëgiminë tonë.

Nga njëra anë, materialet fizike – filmat 16mm dhe kasetat e vjetra – po degradohen në mënyrë të pashmangshme. Si një bombë me sahat, lagështia, temperatura dhe vetë përbërja kimike e tyre po i shkatërrojnë ngadalë, duke fshirë përgjithmonë fragmente të historisë sonë.

Nga ana tjetër, përpjekjet sporadike për digjitalizim, pa një infrastrukturë të sigurt dhe të plotë (storage, backup, firewall), i lënë materialet e shpëtuara vulnerabël ndaj defekteve teknike dhe sulmeve kibernetike, një rrezik real siç e kanë dëshmuar incidentet e fundit në vend.

"Formate si: film 16mm, kaseta bosch, kaseta ampex, janë të ndjeshme ndaj: lagështisë,
temperaturës, konsumit kimik të materialit, mungesës së mirëmbajtjes laboratorike. Çdo vit vonesë
rrit rrezikun e humbjes së përmbajtjes.

Digjitalizimi pa: Storage të sigurt, Backup të strukturuar, Firewall dhe sistem monitorimi, krijon
rrezik të ri: humbje për shkak të sulmeve kibernetike apo defekteve teknike.
Incidenti kibernetik i majit 2025 dëshmoi ekspozimin real të sistemit", thuhet në raport. 

Kërkesa për një fond prej 200 milionë lekësh për vitin 2026, thelbësor për të nisur një proces masiv dhe profesional digjitalizimi, nuk u miratua në buxhetin e shtetit.

Ky vendim e dënon projektin të vazhdojë me ritme simbolike, duke përshpejtuar humbjen e materialeve dhe duke vonuar krijimin e një arkive moderne, të aksesueshme dhe potencialisht fitimprurëse për publikun, studiuesit dhe tregun mediatik.

 

Të fundit