Flash News

E-TJERA

Raporti plot me problematika i KE-së për Shqipërinë/ Nga PPP-të, informaliteti dhe masat e pamjaftueshme të qeverisë

Raporti plot me problematika i KE-së për Shqipërinë/ Nga

Komisioni Europian ka nxjerrë një raport për zhvillimin ekonomik dhe sfidat që kanë shtetet e Ballkanit Perëndimor. KE vlerëson se është i nevojshëm konsolidimi fiskal, i cili do të ndihmonte ekonominë për një rimëkëmbje të qëndrueshme.

Komisioni bën thirrje për reduktim të borxhit publik. Gjithashtu kritikon ndryshimet e shpeshta buxhetore, duke nënvizuar se nevojitet një planifikim i qëndrueshëm fiskal, çka sipas KE, do të rriste edhe besueshmërinë e politikës fiskale.

Rrezik fiskal i konsideron KE kontratat PPP, duke shtuar se kontribuojnë në rritjen e borxhit. Në raport thuhet se projektet për infrastrukturën publike duhet t'i nënshtrohen procedurave të vlerësimit dhe të balancohen me investimet në kapitalin njerëzor.

Gjithashtu sugjerohet një rritje e vazhdueshme graduale e shpenzimeve publike për shëndetësinë, mbrojtjen sociale dhe arsimin.

Komisioni vlerësn se dobësitë strukturore vazhdojnë të pengojnë mjedisin e biznesit në Shqipëri. Sipas tij, veprimet e qeverisë për përmirësimin e mjedisit të biznesit ishin vetëm pjesërisht efektive, ndërsa shton se informaliteti mbetet shqetësues.

“Transparenca në miratimin dhe zbatimin e legjislacionit mbetet e pamjaftueshme. Shqipëria nuk ka hartuar një strategji gjithëpërfshirëse për të luftuar ekonominë informale”, thuhet në raport.

Një tjetër problematike është edhe arsimi. Komisioni Europian thotë se arsimi universitar është i cilësisë së ulët dhe kryesisht i shkëputur nga tregu i punës. Gjithashtu shton se varfëria dhe përjashtimi social mbeten të larta dhe shpenzimet për mbrojtjen sociale dhe kujdesin shëndetësor janë të pamjaftueshme.

“Përfitimet nga skema e ndihmës ekonomike janë shumë të ulëta, por qeveria mori masa të përkohshme për t'i rritur ato dhe filloi një proces për rishikimin e përshtatshmërisë së tyre”, thuhet më tej.

Këto janë problematika shqetësuese për një vend që aspiron të bëhet anëtar i BE-së dhe vënë në pikëpyetjen faktin se a është vetëm vetoja bullgare që po pengon çeljen e negociatave apo blloku ka edhe rezerva sa i përket progresit që ka bërë vendi ynë.

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit