Flash News

E-TJERA

Raporti: Rama dhe qeveria e tij i bëjnë presion medias, gazetarët kërcënohen

Raporti: Rama dhe qeveria e tij i bëjnë presion medias, gazetarët

Kushtet në të cilët ushtrojnë aktivitetin gazetarët shqiptarë nuk janë të favorshme. Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve të Ballkanit Perëndimor tregon se gazetarët në vendin tonë përballen me presione dhe kërcënime.  

Në vitin 2021 janë regjistruar nëntë raste të sulmeve ndaj gazetarëve në Shqipëri, të cilat lidhen më shumë me individë privatë.

Në këto kërcënime bëjnë pjesë: Ngacmimi me thirrje telefonike, ngacmimi arbitrar gjyqësor ose administrative, forma të tjera presioni (shkrime në mur, postime kërcënuese etj).

Ajo që kërcënon sigurinë e gazetarëve janë kushtet e punës, mangësitë në zbatimin e Kodit të Punës, sfidat, veçanërisht ato gjinore, shqetësimet e sigurisë dixhitale dhe fushatat dhe presionet e përgjithshme kundër mediave, thuhet në raport.

Një shqetësim tjetër madhor është përpjekja për ta denigruar gazetarinë me anë të kombinimit të fushatave antimediatike, gjuhës denigruese dhe mbylljes së dyerve për gazetarët duke mos dhënë konferenca për shtyp dhe duke përqendruar informacionin publik në një dorë të vetme. Më tej evidentohen edhe sulmet nga qeveria.

“Fushatat kundër mediave bëhen nga aktorët politikë, veçanërisht kryeministri dhe deputetë e ministra të Partisë Socialiste, të cilët vazhdojnë të bëjnë më shumë presione ndaj mediave, veçanërisht ndaj atyre të pavarura, kritike dhe investigative”, thuhet në raport.

Kryeministri Edi Rama bëri thirrje për rregullime në lirinë e shprehjes për mediat online gjatë fjalimit në konferencën e OSBE-së për Mediat në Evropën Juglindore të mbajtur në Tiranë.

Rama i krahasoi kërcënimet për dizinformim dhe shpifje të mediave online me propagandën naziste dhe deklaroi se politikanët nuk kanë mundësi të mbrohen kundër tyre pasi “etiketohen menjëherë se jeni kundër lirisë bla bla bla”.

Gjithashtu konstatohet se në Shqipëri, mungon një sistem i besueshëm, i unifikuar dhe sistematik i mbledhjes së të dhënave dhe statistikave për kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve.

“Asnjë nga autoritetet përkatëse shtetërore dhe gjyqësore nuk ka krijuar një sistem të besueshëm dhe të unifikuar për mbledhjen e të dhënave, të ndara sipas kritereve të ndryshme. Institucioneve shtetërore u mungojnë burimet dhe kapacitetet për të mbledhur dhe publikuar të dhëna të tilla.

Sulmet fizike kundër gazetarëve gjatë viteve të fundit mbeten ende të pazgjidhura dhe hetimet janë të ngadalta dhe joefikase. Transparenca në procesin e hetimit është e kufizuar edhe për shkak të sekretit hetimor. Zakonisht, këto procese marrin shumë kohë, janë të ngadalta dhe informacioni publik për to është i kufizuar”, thuhet ndër të tjera në raport.

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit