Flash News

E-TJERA

Raporti: Shqiptarët, “mbretërit” e kokainës – si u ngrit rrjeti i fortë nga Brazili në Roterdam

Raporti: Shqiptarët, “mbretërit” e kokainës –

Një raport i Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC), i publikuar nga Bloomberg Línea, zbulon se grupet shqiptare të krimit të organizuar janë bërë një nga shpërndarësit kryesorë të kokainës në Evropë. Të sofistikuar, me struktura biznesi dhe mbi të gjitha diskretë, ato kanë ngritur rrjete të fuqishme që nga fundi i viteve ’90 në Amerikën Latine.

Prania në çdo hallkë të zinxhirit të kokainës

Raporti tregon se grupet shqiptare janë të pranishme në Brazil, kanë lidhje me kultivuesit e kokës në Peru, prodhuesit e kokainës në Kolumbi dhe grupet që ruajnë drogën në portet ekuadoriane, si dhe mbajnë marrëdhënie tregtare me kartelet më të fuqishme meksikane. Ekspertët theksojnë se një nga arsyet e suksesit të tyre është struktura familjare, e ngjashme me Ndrangheta-n italiane, që i bën shumë të vështira për t’u depërtuar.

Nga bananet te portet strategjike

Shembull tipik është ai i trafikantit shqiptar Dritan Gjika, i cili sipas raportit, ngriti kompani eksporti bananesh në Ekuador për të dërguar kokainë drejt Evropës. Hetimet zbuluan mbi 50 kompani fiktive që përfitonin kuota eksporti, duke treguar se trafiku ishte futur deri në institucionet shtetërore të vendit.

Nga portet e Amerikës Latine në zemër të Evropës

Mafia shqiptare ka ndikim në portet kryesore të kokainës në Ekuador, Kolumbi dhe Peru, ndërkohë që kontrollon zinxhirin e shpërndarjes përmes porteve evropiane si Roterdami, Hamburgu dhe Antëerpi. Kombet e Bashkuara në Raportin Botëror për Drogën 2025 paralajmërojnë për rritjen e dhunës së lidhur me kokainën në Evropë, duke përmendur rritjen e ndikimit të grupeve ballkanike.

Faktorët që e bënë mafian shqiptare të fuqishme

Sipas GI-TOC, tre elementë kanë qenë kyç:

Marrëveshjet me kartelët lokalë në vend të përplasjes – në Meksikë bashkëpunojnë me Sinaloa dhe Jalisco Nueva Generación.

Rritja e prodhimit të kokainës – vetëm në 10 vitet e fundit, prodhimi është rritur me 880%, duke krijuar tepricë furnizimi.

Fragmentimi i grupeve kolumbiane pas çmobilizimit të FARC-ut – që u dha hapësirë trafikantëve ballkanikë.

Profili i ulët dhe infiltrimi social

Mike Vigil, ish-drejtues i DEA-s, thotë se mafia shqiptare mban një profil shumë të ulët dhe shmang dhunën për të mos prishur biznesin. Përveç kësaj, shumë prej tyre krijojnë lidhje shoqërore dhe familjare në Amerikën Latine, duke përdorur identitete të shumëfishta për të shmangur autoritetet.

 

 

Të fundit