Flash News

E-TJERA

Raportuesja në PE “shuplakë” Ballkanit të Hapur: Është jashtë rrugës së anëtarësimit në BE

Raportuesja në PE “shuplakë” Ballkanit të Hapur:

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos i ka dhënë një “shuplakë” nismës së mbrojtur fuqimisht nga kryeministri Edi Rama, Ballkanit të Hapur.

Ajo u shpreh se Ballkani i Hapur është një nismë jashtë procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Santos theksoi se rruga më e mirë për Ballkanin është përmes partnerëve europianë dhe procesit të anëtarësimit.

“Nisma e Ballkanit të Hapur është diçka që varej nga vullneti dhe uniteti i vendeve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor. Kjo ishte diçka krejtësisht e propozuar jashtë rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe prandaj nuk jam personi i duhur për ta komentuar.

Ajo që mund të them është se vazhdoj të besoj se rruga më e mirë përpara për Ballkanin Perëndimor është mes partnerëve të tij evropianë dhe përmes progresit të procesit të anëtarësimit. E kuptoj që për një shumicë të madhe të popullit shqiptar kjo është edhe dëshira e tyre”, tha Santos për “Gazetën Shqiptare” .

Kujtojmë që Rama, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, prezantuan në tetor të vitit 2019 nismën me emrin “mini-shëngeni” Ballkanik, ndërsa më pas i ndryshuan emrin në “Ballkani i Hapur”.

Vijueshmëria e MV në këtë nismë është vendosur në pikëpyetje pas largimit të Zaev, ndërsa Rama vijon ta mbrojë, duke thënë se Shqipëria përfiton shumë prej saj.

Kujtojmë se ky qëndrim është kritikuar ashpër, me arsyetimin se dëmton interesat e Kosovës, ndërsa afërsia e Ramës me Vuçiçin nuk është mirëpritur.

Kjo nismë nuk është refuzuar vetëm nga Kosova, por edhe nga Bosnja dhe Mali i Zi.

Të fundit