Flash News

E-TJERA

Reforma në Drejtësi, Kim: Keni qenë duke iu ngjitur një mali dhe po i afroheni majës, ky duhet të jetë hapi i radhës

Reforma në Drejtësi, Kim: Keni qenë duke iu ngjitur një mali
Yuri Kim

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim tha se Shqipëria është aktualisht në kulmin e Reformës së Drejtësisë. Ajo mori pjesë në një aktivitet me fokus funksionimin e drejtësisë, ku theksoi se që prej vitit 2016, aktorët kryesorë të sistemit dhe shqiptarët kanë qenë duke iu "ngjitur një mali".

Sipas Kim, ky rrugëtim ka pasur kthesa të papritura, sfida dhe pengesave të paparashikuara, ndërsa shtoi se reformimi është afër majës.

"Ju them se pamja nga lart është e një të ardhmeje më të ndritur dhe me mundësi më të mira. Vizioni se ku mund të shkoni nga atje është i qartë. Ne do të arrijmë atje së bashku, hap pas hapi", tha Kim.

Ambasadorja u shpreh se hapi i radhës është një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale. Gjithashtu shtoi se do të nxisë KLGJ-në që të përfundojë procedurat për ringritjen e Gjykatës së Lartë.

"Një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale është një hap që duhet ta ndërmerrni për të vazhduar ngjitjen e malit. Ju po lëvizni në drejtimin e duhur, por unë e nxis Këshillin e Lartë Gjyqësor që të përfundojë procedurat për vlerësimin dhe të rendisë e caktojë kandidatët më të mirë të verifikuar që kanë aplikuar për ngritje në detyrë në Gjykatën e Lartë. Sapo Këshilli ta bëjë këtë, kjo do të hapë rrugën për udhëtimin e Gjykatës së Lartë drejt majës së malit. Majën mund ta arrini vetëm nëse punoni së bashku", nënvizoi Kim.

Kjo e fundit solli në vemendje opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me këtë çështje.

"Në opinionin e tij të qershorit 2020, Komisioni i Venecias nënvizoi se funksionimi i Gjykatës së Lartë mund të jetë edhe më vendimtar për stabilitetin e Shqipërisë, sesa prania e Gjykatës Kushtetuese", tha ndër të tjera Kim.

Kryediplomatja amerikane theksoi sërish se shqiptarët meritojnë të shohin se çfarë mund të bëjnë institucionet e drejtësisë, nëse janë me kapacitet të plotë.

Të fundit