Flash News

E-TJERA

Reforma Zgjedhore dështoi, por ambasadori i BE-së apelon sërish: Procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës

Reforma Zgjedhore dështoi, por ambasadori i BE-së apelon sërish:

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato apeloi që për Reformën Zgjedhore duhet të ndiqen rekomandimet e OSBE-së.

Në një prononcim për mediat nga Shkodra ai theksoi se shpreson që partitë të gjejnë rrugën në përgjigje të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë dhe se procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës.

“Kjo është diçka që më ka shqetësuar që në fillim, kur erdha në Shqipëri dhjetorin e kaluar. Dhe unë e kam bërë të qartë qëndrimin tim, bazuar edhe në dokumentin zyrtar tonin, është e rëndësishme të ndjekin rekomandimet e OSBE-së dhe të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse.


Kam shpresuar se kontaktet me partitë e ndryshme do jepnin rezultat. Gjithashtu, tani di se janë edhe disa çështje të tjera që duhen adresuar, që është vendimi i Kushtetueses, i cili duhet parë sërish.

Ende shpresoj që partitë do të gjejnë rrugën, në përgjigje të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë. Dhe të sigurojnë se zgjedhjet e ardhshme të bëhen në klimën më të favorshme të mundshme.

Ne duam të shmangim një rezultat elektoral, i cili ndoshta kontestohet. Duam që zgjedhjet të bëhen në mënyrën e duhur, që sjell stabilitet, që Shqipërisë i duhet në rrugën drejt BE-së.

Këto janë kohë vendimtare ku negociatat me BE-në shkojnë në një fazë të caktuar dhe ne na nevojitet kapacitet administrativ, dhe vendosmëri politike për integrimin evropian”, u shpreh ai.

Kujtojmë se pak ditë më parë Partia Socialiste depozitoi në Kuvend draftin e saj të njëanshëm, dhe pa konsensusin e opozitës për mendimet ligjore në Kodin Zgjedhor, duke nënkuptuar kështu edhe dështimin e tryezës së reformës zgjedhore, që u ngrit pak muaj më parë.

 

 

Të fundit