Flash News

E-TJERA

Refuzojnë kthimin në Shqipëri, familja shqiptare fle në shkallët e Bashkisë në Francë

Refuzojnë kthimin në Shqipëri, familja shqiptare fle në

Një familje shqiptare me katër fëmijë, mes tyre një foshnjë 20-muajshe me probleme shëndetësore, vijon të jetë e pastrehë në qytetin e Montpellier, në Francë, prej disa muajsh, duke refuzuar kthimin në Shqipëri pavarësisht refuzimit të kërkesës për azil.

Prej një jave, prindërit dhe fëmijët e tyre po flenë në shkallët e Bashkisë së Montpellier, në pritje të një strehimi emergjent. Sipas shoqatave që i mbështesin, familja ka telefonuar çdo ditë në numrin e urgjencës sociale 115, por pa marrë zgjidhje.

Situata ka nxitur reagimin e shoqatave lokale të solidaritetit, të cilat organizuan një tubim mbështetës para Bashkisë, ku u mblodhën rreth 60 persona. Aktivistët kërkojnë që familja të trajtohet si rast prioritar, duke theksuar praninë e fëmijëve të mitur dhe gjendjen shëndetësore të foshnjës.

Nga ana tjetër, prefektura e departamentit Hérault ka bërë të ditur se familja nuk përmbush kriteret për strehim emergjent, pasi ndodhet në situatë të parregullt ligjore. Kërkesa për azil e familjes është refuzuar dhe më 8 dhjetor, edhe gjykata administrative e Montpellier rrëzoi kërkesën për strehim emergjent.

Shoqatat e solidaritetit e konsiderojnë këtë vendim të papranueshëm dhe theksojnë se autoritetet po injorojnë aspektin human të rastit. Sipas tyre, familja shqiptare nuk pranon të kthehet në Shqipëri dhe po kërkon të qëndrojë në Francë, duke shpresuar për një zgjidhje humane për strehimin.

Një tjetër tubim mbështetës është planifikuar të dielën, më 21 dhjetor, në orën 14:00, sërish në shkallët e Bashkisë së Montpellier, me synimin për të ushtruar presion ndaj institucioneve që të ndërhyjnë në favor të familjes.

 

Të fundit