Flash News

E-TJERA

Rënia e euros ‘fundos’ eksportet, bien me 17.3% në qershor

Rënia e euros ‘fundos’ eksportet, bien me 17.3% në qershor

Rënia e euros dhe çmimet më të lira të produkteve në bursat ndërkombëtare, po sjellin humbje të mëdha për eksportuesit. Për të katërtin muaj radhazi, eksportet kanë shënuar rënie.

Sipas shifrave të INSTAT, në Qershor 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 38 miliardë lekë, duke u ulur me -17,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -4,0 %. Importet e mallrave arritën vlerën 75 mld lekë, duke u ulur me -7,5 %, në krahasim me një vit më parë dhe me -6,8 %, në krahasim me Maj 2023.

Sipas INSTAT, gjatë muajit Qershor 2023, në uljen e eksporteve prej -17,3 %, kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -9,7 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -4,5 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -4,4 pikë përqindje, etj. Ndërsa, pozitivisht ka ndikuar grupi: “Ushqime, pije, duhan” me +4,6 pikë përqindje.

Eksportet, gjatë këtij gjashtëmujori janë ulur me -7,4%, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,8 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,2 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -1,0 pikë përqindje, etj. Ndërsa, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me +2,1 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,8 pikë përqindje.

Ecuria e eksporteve me vendet partnere

Uljen më të madhe të eksporteve përgjatë muajit Qershor 2023, Shqipëria e ka pasur me Italinë (9.4%), e pasuar nga Greqia (40,7 %) dhe Spanja (47,9 %). Ndërsa, vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe, janë: Zvicra (34,8 %), Kina (10,1 %) dhe Ukraina (63,0 %).

Gjatë këtij gjashtëmujori vendet me të cilat Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (10,6 %), Gjermania (30,3 %) dhe SHBA (57,8 %). Ndërsa, vendi me të cilin eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, është: Spanja (67,0 %), Greqia (16,1 %) dhe Maqedonia (12,4 %).

Në muajin Qershor 2023, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur uljen më të madhe te importeve, janë: Italia (6,4 %), Kosova (46,5 %) dhe Rusia (77,3 %). Ndërsa, vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me Qershor 2022 janë: Kina (50,6 %), Gjermania (15,2 %) dhe SHBA(48,8 %).

Të fundit