Flash News

E-TJERA

Reshje dëbore dhe mot i keq në Qarkun e Elbasanit, problemet me energjinë dhe rrugët

Reshje dëbore dhe mot i keq në Qarkun e Elbasanit, problemet me

Mëngjesi i kësaj fundjave ka zbardhur të gjitha fshatrat malorë në Qarkun e Elbasanit, ku reshjet e dëborës kanë mbuluar fshatrat në lartësinë mbi 900 metra mbi nivelin e detit dhe vazhdojnë me intensitet të lartë. Trashësia më e madhe e dëborës është regjistruar në fshatrat e Njësisë Administrative Steblevë, si dhe në fshatrat Qarrishtë, Rrajcë dhe disa të tjerë në këtë zonë malore.

Ndërkohë, në zonën e ulët, reshjet janë në formë shiu dhe temperaturat kanë pësuar një rënie të ndjeshme. Situata është përkeqësuar nga ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike në disa lagje të fshatrave malorë, të cilat janë goditur më së shumti nga moti i keq.

Po ashtu, reshjet e dendura kanë shkaktuar edhe rrëshqitje dherash dhe gurësh në fshatin Pobrat të Elbasanit, duke vështirësuar qarkullimin në një segment të rrugës rurale. Pavarësisht përpjekjeve për të larguar materialet e rrezikshme, ndërhyrja ka qenë e pamundur për shkak të reshjeve të vazhdueshme. Ky segment rrugor është shpallur i papërshtatshëm për qarkullimin e automjeteve dhe përbën rrezik edhe për këmbësorët, pasi ka rrezik nga rrëshqitjet e tokës dhe gurët që bien nga lartësitë.

Për këtë arsye, autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar për të shmangur çdo incident.

Të fundit