Flash News

E-TJERA

Reshje të dendura bore në Juglindje/ Semani e Vjosa dalin nga shtrati, situata në disa qarqe

Reshje të dendura bore në Juglindje/ Semani e Vjosa dalin nga shtrati,
Foto Ilustruese

Moti i keq që ka ‘pushtuar’ thuajse të gjithë vendin, ka shkaktuar përmbytje, dëme në tokat bujqësore dhe banesat e qytetarëve. Zonat më të prekura deri tani janë Juglindja, Vlora, Fieri, Gramshi dhe Berati, ku kushtet e atmosferike kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Në Qarkun e Korçës, prej dy ditësh reshjet e dendura të borës kanë detyruar drejtuesit e mjeteve, të përdorin gomat dimërore dhe zinxhirët për të udhëtuar. Në segmentin e Dardhës trashësia e borës ka arritur në 70 cm, ndërsa pavarësisht pastrimit të akseve, është e nevojshme lëvizja e mjeteve me zinxhirë. E njëjta vlen edhe për Voskopojën dhe Qafën e Qarrit, ku bora ka arritur trashësinë nga 5 në 15 cm.

Situata kritike është edhe në fshatin Fitore të Vlorës. Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë prurje në lumin Vjosë, duke shkaktuar çarje të argjinaturës çka ka bërë që Vjosa të dalë nga shtrati. Banesat në fshatin Fitore janë përmbytur dhe deri tani janë evakuuar 11 familje.

Në Qarkun e Lezhës, vetëm gjatë natës janë regjistruar reshje të dendura shiu. Niveli i lumenjve në shtretër paraqitet në kuota normale, por probleme ka pasur në kënetës e Kakarriqit ku janë rreth 200 ha të përmbytur.

Në Njësinë Pishaj në Gramsh, si pasojë reshjeve, është shembur argjinatura e betonit duke dëmtuar urën e këmbësorëve që lidh fshatin Liras me pjesën tjetër të njësisë. Për pasojë ky fshat është i izoluar momentalisht. Rrëshqitje të dherave ka edhe në fshatin Tervol.

Edhe lumi Seman ka dalë nga shtrati duke sjellë përmbytje në fshatin Samaticë të Beratit. Në Poçem, stacioni i pompimit të ujit të pijshëm e nënstacioni elektrik është ndalur dhe 3700 familje të zonës janë pa energji elektrike në Hekal, Kutë, Selitë dhe Fratar.

E njëjta situatë paraqitet edhe për fshatrat përgjatë luginës së Vjosës, në Kashisht, Sheqmusalal, Frakull dhe Qarr.

Të fundit