Flash News

E-TJERA

Rihapja e çështjes ‘Gërdeci’, Mediu: Edhe kur je i pafajshëm ndodhin çudira, SPAK s’ka bazë ligjore

Rihapja e çështjes ‘Gërdeci’, Mediu: Edhe kur je i

Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka folur për herë të parë në një studio televizive pas vendimit për rihapjen e çështjes “Gërdeci”për të cilën ai do të hetohet nga SPAK.

I ftuar në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në MCN TV, Mediu tregoi se disponon një vërtetim nga Prokuroria e Përgjithshme që provon se mbi çështjen ‘Gërdeci’ nuk është proceduar që në vitin 2009, dhe SPAK nuk ka kompetenca për të drejtuar çështjen.

Ish-ministri shtoi se ka kërkuar t’i vihen në dispozicion të gjitha materialet që SPAK disponon, por sipas tij, dy javë pasi SPAK bëri deklarimin publik, i është komunikuar se materialet nuk t’i jepen pasi ai është nuk është një person i proceduar penalisht.

“Veprimi i SPAK nuk ka bazë ligjore, sepse SPAK nuk ka marrë kompetencën për ta drejtuar këtë cështje. Kam vërtetim nga Prokuroria e Përgjithshme, që thotë se dosja është në Prokurorinë e Përgjithshme dhe nuk është proceduar mbi këtë dosje që në vitin 2009. Dua të sqaroj që SPAK është instrumenti i fundit që kanë përdorur familjarët për ta rihapur çështjen. Kjo ka qenë një çështje në proces edhe pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Përveç anës ligjore, është përdorur politikisht sa herë ka patur fushata. Kur tentohet të hapet një proces penal, sa bazë ligjore ka?

Meqenëse u kërkua nga SPAK, kam kërkuar të më vihen në dispozicion materialet. Përgjigja ka qenë, nuk mund t’ju japim materiale, sepse nuk kemi procedim penal dhe nuk është as person nën hetim. Kjo është dy javë pasi SPAK ka bërë deklarimin publik. Ne i kërkuam SPAK të shohim bazën ligjore të veprimit të tyre, të njiheshim me materialet dhe përgjigja ishte që Fatmir Mediu nuk është person nën hetim dhe as person i proceduar.

Unë kam deklaruar se nuk njoh imunitet. Unë kam kërkuar të vijojë gjykimi, kam thënë nuk e njoh imunitetin. Nuk ka pasur pengesë nga ana ime dhe e Parlamentit. 

Nuk kam lëvizur një ditë, nuk jam shmangur asnjë lloj përgjegjësie. Kam heshtur përballë kësaj propagande, sepse çdo pozicion i imi do të rëndonte raportet me familjet”, tha Mediu.

Mediu u shpreh se në këtë vend ‘mund të ndodhin çudira edhe kur je i pafajshëm’ duke ia lënë fajin këtu prokurorisë.

“Avokati më kanë thënë në këtë vend mund të ndodhë çdo çudi. Mund të jesh i pafajshëm, por të ndodhë si në kohën e Hoxhës. Kur prokuroria është më e fuqishme se gjykata, sistemi i drejtësisë nuk funksionon. Jam në këtë betejë për t’u përballur edhe me padrejtësinë. Mund të ketë çdo gjë në përballje,” shtoi ish-ministri.

 

Të fundit