Flash News

E-TJERA

"Rikthehen pas 16 muajsh", FSHF: Ekipet shqiptare me tifozë në aventurën europiane, stadiumet hapen që sot

"Rikthehen pas 16 muajsh", FSHF: Ekipet shqiptare me tifozë

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar pas vendimit që hyri sot në fuqi, i cili lejon praninë e tifozëve në stadiumet shqiptare edhe pse me numër të reduktuar, vetëm me 30% të kapacitetit.

FSHF thekson se futbolli kaloi 16 muaj të vështirë për shkak të pandemisë dhe se tani bëhet gati për të rinisur ashtu siç e meriton, me tifozë në stadiume.

Bëhet me dije se dyert e stadiumeve do të hapen që sot duke filluar me sfidën e finales së Kategorisë Superiore U-15 në “Selman Stërmasi”, Tirana-Internacional si dhe finalet e turneut të përfaqësueseve rajonale për grup-moshat U-14 dhe U-13 që do të luhen në stadiumin “Elbasan Arena”. Kjo vlen edhe për skuadrat shqiptare që marrin pjesë në Kupat e Europës, si dhe për ndeshjet e kombëtares në shtator.

Njoftimi i FSHF-së:

Pas thuajse 16 muajsh pa tifozë në stadiume, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19 që preku të gjithë botën, Komiteti Teknik i Ekspertëve mori një muaj më parë vendimin që prej 1 korrikut 2021 do të lejohen kampionatet sportive me prezencë të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30% të stadiumit, sipas protokollit të Institutit të Shëndetit Publik.

Kështu, duke filluar nga sot, tifozët mund të jenë të pranishëm në stadiumet shqiptare dhe mund të ndjekin finalen e Kategorisë Superiore U-15 që do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi” si edhe finalet e turneut të përfaqësueseve rajonale për grup-moshat U-14 dhe U-13 që do të luhen në stadiumin “Elbasan Arena”.

Gjithashtu, skuadrat shqiptare që marrin pjesë në kompeticionet e UEFA-s, Teuta, Vllaznia, Partizani dhe Laçi, në ndeshjet e kthimit që do të luhen në Shqipëri, do të kenë mundësi të kenë një numër të limituar tifozësh në shkallët e stadiumeve, me 30% të kapacitetit të tij.

Më tej, nga shtatori do të rikthehen emocionet edhe për tifozët kuqezi, të cilët do të kenë mundësi të ndjekin Kombëtaren nga afër, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e kampionatit Botëror “Katar 2022” ndaj Hungarisë më 5 shtator dhe tre ditë më vonë kundër San Marinos.

Të fundit