Flash News

E-TJERA

Rikthimi i 'Prefektit' ndez ‘gjakrat’, flet aktori Derhemi: Jemi në kuadrin e lukunisë, jo të shoqërisë

Rikthimi i 'Prefektit' ndez ‘gjakrat’, flet aktori

Leximi në Teatrin Kombëtar të veprës “Prefekti” të Besim Levonjës i shfaqur në “Facebook” me rastin e festave të nëntorit, ngjalli një sërë kritikash. Sipas kritikëve në vepër ironizohet e tallet figura e Qazim Mulletit, ish-kryebashkiak dhe ish-prefekt i Tiranës në vitit e Mbretërisë.

Protagonisti i shfaqjes dhe debatit ishte aktori tiranas, Arben Derhemi, i cili interpretoi Prefektin e Tiranës, Qazim Mulletin.

Duke folur në A2 CNN, sipas tij, reagimet tregojnë se shoqëria shqiptare nuk është ende gati.

Jemi në kuadrin e lukunisë, jo të shoqërisë. Por në momentin që ti i ofron diçka, lukunia e ha. Një shoqëri që mendon se është demokratike dhe në veprim është më komuniste se komunistët. Janë një mentalitet fshataro-komunist, që i ka rrënjët në atë që ne kemi jetuar 50 vite dhe vazhdojmë të jetojmë 30-vjeçarin tjetër”, tha Derhemi në një intervistë për A2 CNN.

Sipas Derhemit, atij iu besua ky rol për shkak se është tiranas, Ndërsa teksti i veprës u modifikua, për të nxjerrë në pah figurën e Qazim Mulletit. “Spiro (Duni, regjisori) ma dha si një ide të qartë, për të lartësuar një figurë të tillë, e cila ishte bërë groteske deri diku, por mbi të gjitha ma dha se mund ta flas dialektin e Tiranës në mënyrë të përsosur. Punuam gati një javë. Kjo pjesë ka gjashtë muaj që është bërë dhe për hir të festave, Teatri Kombëtar vendosi ta jepte. Në të jepet mesazhi i qartë i një figure e cila nuk është figura që ka shkruar Besim Levonja, por një figurë tjetër. Interpretimi dhe mënyra sesi kemi ndërhyrë në tekst, nxirrte një figurë të lartësuar”, tha Derhemi.

Qazim Mulleti ka qenë politikan dhe nëpunës i shtetit shqiptar gjatë disa regjimeve. I lindur në Tiranë, Mulleti ishte pjesë e delegacionit të qytetit të tij që mori pjesë në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. Dëshmitë e kohës e bëjnë pjesë të një grupi që i bëri atentat Mbretit Zog. Për këtë arsye, u largua nga Shqipëria gjatë sundimit të tij dhe u rikthye në vitin 1939, pas pushtimit italian, ku shërbeu si kryetar i Bashkisë Tiranë e më pas Prefekt. Më 1944, u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Itali, ku edhe vdiq në vitin 1956.

Të fundit