Flash News

E-TJERA

Rikthimi i Veliajt në detyrë, zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese: S'u analizua shkaku i mungesës

Rikthimi i Veliajt në detyrë, zbardhet vendimi i Gjykatës

Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin që riktheu në detyrë Erion Veliaj si kryetar i bashkisë Tiranë, duke rrëzuar vendimet e marra nga Këshilli i Ministrave dhe Presidenti i Republikës.

Në seancën plenare publike të mbajtur më 31 tetor 2025, Gjykata Kushtetuese, nën drejtimin e kryetares Holta Zaçaj dhe me praninë e të gjithë anëtarëve, shqyrtoi kërkesën e paraqitur nga Erion Veliaj, i përfaqësuar nga avokatët Alban Dokushi dhe Ermal Yzeiraj.

Gjykata konkludoi se vendimi i shkarkimit të kërkuesit nga detyra është rrjedhojë e një procesi të parregullt ligjor, që ka sjellë pasojë cenimin edhe të parimit të autonomisë vendore, ndaj pretendimet e tij që lidhen me atë proces janë të bazuara.

Gjykata evidenton se shkronja “c” e nenit 62 të Ligjit për Qeverisjen Vendore nuk mund të përdoret si bazë ligjore për të shmangur të drejtën e ankimit kushtetues të të zgjedhurit vendor dhe kompetencën e Gjykatës për të kontrolluar vendimin e shkarkimit. Çdo interpretim i kundërt do të sillte zvogëlimin e mbrojtjes kushtetuese të organit të qeverisjes vendore dhe do të ishte në kundërshtim me parimin e epërsisë së Kushtetutës. Kjo e fundit nuk ka pasur për qëllim që të autorizojë ligjvënësin të parashikojë me ligj rastet e tjera të shkarkimit, përveç atyre të parashikuara në nenin 115 të saj.

Mungesa e autorizimit ligjor në këtë dispozitë tregon qartazi se qëllimi i kushtetutëbërësit ka qenë që mbrojtja e të zgjedhurit me votë të realizohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nëpërmjet kontrollit kushtetues. Gjykata rithekson se atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta, nuk mund ta bëjë ligji (shih vendimet nr. 10, datë 26.02.2015; nr. 25, datë 15.12.2008; nr. 212, datë 29.12.2002 të Gjykatës Kushtetuese). Në të kundërt ekziston mundësia e kufizimit me ligj të garancive kushtetuese të organit të zgjedhur të qeverisjes vendore, çka, në thelb, kufizon vetë kompetencën e Gjykatës”, thuhet në vendim.

KLIKO për vendimin e plotë

Të fundit