Flash News

E-TJERA

Rreziku i variantit 'Delta', Bino: Nëse do të kemi raste, do rishikojmë masat anti-Covid

Rreziku i variantit 'Delta', Bino: Nëse do të kemi raste, do

Shqipëria, sikurse edhe vendet e tjera të Evropës, është e rrezikuar nga prania e variantit 'Delta', pavarësisht se ende nuk janë konfirmuar raste të infektimit me të.

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive pranë ISHP, Silva Bino ka deklaruar se vendi ynë do t'i rishikojë masat antiCOVID, sapo Gjermania të konfirmojë praninë e variantit 'Delta'.

Në qoftë se do te kemi raste me variantin “Delta”  natyrisht do të kemi rishikim të masave. Por edhe nëse do të vëmë re rritje të rasteve natyrisht do të rishikojmë kufizimet siç është bërë gjatë gjithë periudhës së pandemisë”, shprehet Bino.

Sipas ekspertëve, varianti 'Delta' është më i transmetueshëm, por protokollet e sigurisë për personat mbartës të virusit mbeten po të njëjta. Bino i ka bërë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo shqetësim dhe në rast simptomash të kryejnë menjëherë testin.

“Do të ndiqet i njëjti protokoll në lidhje me izolimin. Do të jetë strikt. Por dua të theksoj se çdo njeri duhet të jetë i përgjegjshëm", ka thënë Bino.

Bino ka kërkuar që qytetarët të bëjnë të dyja dozat e vaksinës, duke mos përjashtuar as personat të cilët e kanë kaluar më herët COVID19. Pjesë e grupmoshave që duhet të kryejnë me rigorozitet vaksinimin janë edhe adoleshentët, si transmetues të lartë të virusit.

“Mendohet që imuniteti natyror nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar dhe variantet e reja. I kombinuar me vaksinimin e plotë me të dyja dozat është ai që të mbron ndaj varianteve. Është armë e rëndësishme nga Covid-19 dhe mutacioneve të reja. Transmetuesit më të mëdhenj janë adoleshentët dhe të rinjtë. Në ditët e hapura duhet të vaksinohen. Të gjitha vaksinat janë të rëndësishme”, shton më tej Bino.

Ekspertët deklaruan më herët se varianti 'Delta', ka simptoma të tjera ndryshe nga varianti i vjetër. 'Delta' fillon me rrufë, dhimbje koke e fyti dhe temperaturë të lartë. Aktualisht 'Delta' konsiderohet më problematiku sa i përket transmetueshmërisë dhe rrezikut për humbjen e jetëve.

Të fundit