Flash News

E-TJERA

Rrëzimi i avionit në Vermosh, Policia e Shkodrës del me njoftim: Nga kontrolli nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm

Rrëzimi i avionit në Vermosh, Policia e Shkodrës del me njoftim:

Policia e Shkodrës ka reaguar për avionin sportiv që u rrëzua një ditë më parë në Vermosh. Ajo bën me dije se ngjarja ka ndodhur në orën 12:30 dhe ka shkuar mënjëherë në vendngjarje sapo është njoftuar.

Policia bën me dije se avioni sportiv dyvendësh ishte ngjyrë gri me gjatësi 6 m, gjerësi 10.5 m, ndërsa thekson se është konstatuar i dëmtuar.

Gjithashtu nënvizon se brenda avionit nuk u gjendën shenja dalluese apo ndonjë dokument identifikimi. Blutë thonë se gjatë kontrollit të imtësishëm në brendësi të avionit nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.

"Nga veprimet e para hetimore dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se në vijë ajrore rreth 800 m nga kufiri me Malin e Zi, është konstatuar i rrëzuar dhe i dëmtuar një avion sportiv dyvendësh, ngjyrë gri, me gjatësi 6 m, gjerësi 10.5 m (nga skaji i njërit krah te tjetri), gjatësi të krahut 4.7 m dhe gjerësi të kabinës 1.1 m., në të cilin nuk u gjendën shenja dalluese si: flamur, dokumente të origjinës apo ndonjë dokument tjetër identifikimi.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të imtësishëm të kryer nga grupi hetimor në brendësi të avionit nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm", thuhet në njoftimin zyrtar.

Ende nuk dihen shkaqet e rënies së avionit, ndërsa Policia e Shkodrës në bashkëpunim me vendet fqinje, Mali i Zi dhe Kosovë po punon për përcaktimin e itinerarit të fluturimit që ka ndjekur ky avion, identifikimin e pilotëve dhe të personave të tjerë të përfshirë.

 

Të fundit