Flash News

E-TJERA

Rrëzohet ankimimi i Ramës për pezullimin e Ballukut, gjyqtarët kushtetues votuan 4 me 4

Rrëzohet ankimimi i Ramës për pezullimin e Ballukut,

Pas 10 orësh mbledhje dhe të 'ngujuar', anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë rrëzuar sot në mbrëmje ankimimin e kryeministrit Edi Rama për masën e sigurisë të vendosur ndaj zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, duke lënë në fuqi pezullimin e saj.

Trupa e përbërë prej 8 anëtarësh e Kushtetueses ka votuar 4 me 4, duke mos pasur  një kuorum të nevojshëm të votave për vendimarrje pro ose kundër e për rrjedhojë kërkesa e qeverisë është rrëzuar.

Me këtë votim, rikthehet në fuqi masa e GJKKO-së dhe Balluku pezullohet sërish nga detyra.

Më herët, ish-prokurori, Eugen Beçi sqaroi procedurat lidhur me rastet kur Gjykata Kushtetuese merr vendim duke votuar 4 me 4.

Sipas tij, kjo do të thotë se vazhdon pezullimi që ka vendosur GJKKO,  ndërsa SPAK i qëndron vendimi që ka marrë, pra rrëzohet kërkesa e Kryeministrit për pezullimin dhe mbetet vendimi i parë.

"Nëse vendimi merret 4 me 4 vendimi është i rrëzuar, që do të thotë se vazhdon pezullimi që ka vendos GJKKO, SPAK i qëndron vendimi që ka marrë, pra rrëzohet kërkesa e Kryeministrit për pezullimin dhe mbetet vendimi i parë”, tha ai.

Pezullimi nga detyra i zëvendës kryeministres Belinda Balluku bëri që Kryeministri Rama t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar mes Kryeministrit, Këshillit të Ministrave si dhe vetë GJKKO-së.

Sipas SPAK, Balluku shkeli barazinë në tenderët për tunelin e Llogarasë dhe në lotin e katërt të Unazës së Madhe në Tiranë, tenderë me vlerë mbi 200 milionë euro.

Në deklarimet e tij, Rama e përshkroi pezullimin e ministres Balluku si shfaqje të “dobësive” të një pushteti “krejt të ri” që synon të ruajë pavarësinë.

Qëndrimet publike të Kryeministrit kundër pezullimit të Ballukut, sollën reagim të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, që i konsideruan si presion ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatave te Posaçme që po merren me çështjen.

Mirëpo, Kryeministri Rama u shpreh se nuk do të reshte me deklaratat e tij, pasi ishte palë në gjykim.
Rasti i zëvendës Kryeministres Balluku, nuk është i pari i figurave kryesore të pushtetit që jep llogari para drejtësisë.

Ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj janë duke u gjykuar nga GJKKO.

Ndërsa Kryeministri Rama ka shtuar presionin ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, duke arritur kulmin pas masave të sigurimit për zëvendës kryeministren Balluku.

 

Të fundit