Flash News

E-TJERA

Rriten çmimet e pronave në bregdet, në Rivierë apartamentet nisin nga 2,000 deri në 4,500 euro/m²

Rriten çmimet e pronave në bregdet, në Rivierë

Kërkesa e lartë nga shtetas të huaj ka rritur 40-60% çmimet e apartamenteve ekzistuese nga Shkëmbi i Kavajës, Lungomare e deri në Sarandë brenda vitit. Në resortet e reja që po ndërtohen në Rivierë, çmimet e apartamenteve nisin nga 2,000 deri në 4,500 euro/m². Këtë vit janë shtrenjtuar edhe çmimet e vilave në bregdet. Vilat elitare me pamje nga deti po shiten 1,2 mln euro nga 1 mln euro që ishte çmimi i tyre në vitin 2021. Në resortet e Jugut, pronat po blihen më shumë nga shqiptarët, për të investuar në qiradhënie apo rishitjen e tyre te të huajt, për shkak të rritjes së çmimeve nga viti në vit.

Apartamentet e reja në bregdet, këtë vit, po shiten mbi 900 euro/m². Agjencitë imobiliare pohojnë se çmimet në ndërtimet e reja janë shtrenjtuar në vendet si: Durrës, Qerret, Sarandë dhe Vlorë.

Në Durrës, çmimet e apartamenteve larg zonës së plazhit janë shtrenjtuar 20%, ndërsa ndryshimi më i madh është te pronat në vijën e parë të Shkëmbit të Kavajës, me çmime 46% më të larta.

Në Qerret, çmimet e shtëpive të reja nga 1,200 euro/m² në 2021 këtë vit kanë arritur deri në 1,400 euro/m² (rritja 16%). Në Sarandë, çmimet e apartamenteve vijuan rritjen edhe për këtë vit. Në ndërtimet e reja të periudhës 2021-2022, çmimet janë shtrenjtuar 40%. Rritja është e njëjtë edhe në apartamentet e stokut të krijuar me ndërtimet e para 10 viteve.

Në këtë qytet, vijojnë të shiten apartamente VIP, për shkak të pozicionit të lakmuar buzë detit dhe sipërfaqes së madhe të verandave me çmime deri në 3,500 euro/m² (vjet agjentët pohuan se pronat VIP u shitën edhe me 4,000 euro/m²).

Çmime të larta këtë vit kanë edhe edhe apartamentet në ndërtime 2-3-katëshe ende të papërfunduara të resorteve kryesore. Në resortin turistik të “Kep Mërlit” në Ksamil, çmimet e apartamenteve kanë arritur 4,500 euro/m², në “San Nicolas”, Palasë 2,500 euro/m², në “San Pietro” në Gjirin e Lalëzit 1,700 deri 2,200 euro/m² dhe në Vlorë, deri në 2,000 euro/m². Çmimet për këto ndërtime parashikojnë të shënojnë rritje 10-15% për vitin 2023.

Si kanë ndryshuar çmimet e apartamenteve në Durrës

Këtë vit, në Durrës, çmimet e apartamenteve në ndërtimet e reja larg zonës së plazhit janë rritur 20% në raport me vjet. Agjentët e tregut thonë se për shtrenjtimin e pronave së vijës së parë në Durrës, përveç rritjes së kërkesës nga të huajt, ka ndikuar edhe projekti i portit të ri. Për apartamentet pranë portit, shitjet janë në stanjacion, pasi pronarët parashikojnë rritje të lartë të çmimeve, pas zhvillimit të projektit.

Arian Gjuzi, broker i zyrës “Century 21 EON” në Durrës, thotë se ndërtimet e reja në zonën B (ish-stacioni i policisë dhe stadiumi) nga 750 euro që ishin vjet, po shiten 900 euro/m². Për këto apartamente, nuk ka kërkesë.

Sipas tij, apartamentet në zonën A të Durrësit (afër Currilave dhe portit) janë me çmim 900 deri në 1,300 euro/m² (me pamje nga deti). Në këto zona, këtë vit, nuk ka pasur shumë ndërtime të reja.

Te Shkëmbi i Kavajës, për vitin 2022, çmimet e apartamenteve në vijën e parë të ndërtimit kanë fluturuar, për shkak të rritjes së kërkesës nga të huajt. “Apartamentet e vijës së parë po shiten 1,000 deri 1,100 euro/m² nga 700 deri 750 euro/m² vitin e kaluar.

Golemi, destinacioni i shqiptarëve të Kosovës dhe maqedonasve

Nëse 10 vite më parë, banorë të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit blenë masivisht apartamente në zonën e Golemit, duke i shfrytëzuar si shtëpi pushimi, tashmë 2-3 vitet e fundit ato po u shiten shqiptarëve të Kosovës dhe shtetasve të Maqedonisë së Veriut. Kërkesa e lartë për prona nga të huaj, kryesisht për vijën e parë, i ka rritur çmimet e tyre në Golem 800 euro deri në 1,000 euro/m².

“Çmimet në zonën e Golemit kanë mbetur të pandryshuara në raport me vjet. Në vijën e parë gjen edhe ndërtime të reja me 800 euro/m². Ndërsa në vijën e dytë e të tretë të ndërtimeve, çmimet e apartamenteve variojnë nga 550 deri në 700 euro/m², nga 450 deri në 600 euro/m² vitin e kaluar. Çmimi i pronave 15 apo 20 vjeçare ishte 300 deri 400 euro/m².

Pronarët po pranojnë t’i rishesin edhe me çmime të ulëta, kryesisht ndërtimet që u dëmtuan nga tërmeti, apo edhe me çmimin e blerjes, për shkak të emigrimit apo fëmijëve, çka i ka kthyer këto shtëpi të papërdorshme”, nënvizon Arian Gjuzi, agjent pronash në Durrës.

Vijon rritja e çmimeve në Sarandë

Në Sarandë, çmimet e pronave VIP, për shkak të pozicionit dhe sipërfaqeve të mëdha me pamje nga deti edhe këtë vit po shiten me çmime 3,000 deri në 3,500 euro/m² sipas Eron Çumanit, drejtues i agjencisë imobiliare “Investment Property Sarandë”. Çumani thotë se këtë vit, në këtë qytet, pronat stok të ndërtuara para 5 apo 10 vitesh po shiten 30-40% më shumë.

“Rritja e çmimeve për këto prona është abuzive, pasi investimi për këto ndërtime ka përfunduar. Janë prona të mbetura stok, ku pronarët kanë përfituar nga vala e rritjes së çmimeve dhe kërkesës. Në zona ku çmimi vjet varionte 700 deri në 800 euro/m², këtë vit ka arritur 1,000 deri në 1,200/m² në apartamente të ndërtuara para 5 vitesh”.

Në Sarandë, këtë vit, ashtu si edhe në zonat e tjera bregdetare, çmimet e apartamenteve të reja arrijnë deri në 1,700 euro/m² nga 1,200 euro/m² vjet (rritja 41%). “Janë rritur standardet dhe cilësia e projekteve dhe kjo është shoqëruar me rritje ekstreme të çmimeve./ Monitor

Të fundit