Flash News

E-TJERA

Investimet e huaja në prona, BSH ngre shqetësimin: S'ka të dhëna për origjinën e tyre

Investimet e huaja në prona, BSH ngre shqetësimin: S'ka të

Banka e Shqipëria ka vlerësuar pozitive rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

Në një prononcim për Monitor, BSH thekson se perspektivat e investimeve të huaja mbeten pozitive. Sipas BSH, hartës së investitorëve të huaj i janë shtuar vende si: Kanada, Holandë e Zvicër.

“Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka tërhequr vëllime në rritje të Investimeve të Huaja Direkte, të cilat në raport ndaj PBB-së qëndrojnë aktualisht rreth nivelit 8.1%. Ky raport ka qenë gjithashtu i lartë në krahasim me homologët rajonalë. Kështu, sektorëve tradicionalë të viteve 2000 si financa dhe telekomunikacioni, u janë shtuar edhe sektorët e industrisë nxjerrëse, energjisë, pasurisë së paluajtshme, e të tjera. Në të njëjtën kohë, harta gjeografike e IHD-ve është zgjeruar për të përfshirë Zvicrën, Holandën, Kanadanë e të tjera, krahas partnerëve tradicionalë si Italia, Greqia e Turqia”, thotë BSH.

Investitorët e huaj janë shtuar edhe në tregun e pasurive të paluajtshme, por Banka e Shqipërisë ngre si problematikë mungesën e të dhënave për investitorët e huaj.

“Është e vërtetë që sektori i pasurive të paluajtshme ka tërhequr flukse në rritje të Investimeve të Huaja Direkte. Ky trend i nisur prej vitit 2018, u ndërpre përkohësisht në periudhën e pandemisë 2020, duke nisur përsëri vitin e shkuar. Në gjysmën e parë të vitit 2022, IHD-të në sektorin e pasurive të paluajtshme u rritën me 79%, duke dhënë një kontribut prej 13.4 pikë përqindjeje në rritjen totale. Aktualisht, ato përfaqësojnë rreth 22% të flukseve hyrëse të IHD-ve totale.

Të dhëna mbi tipologjinë e subjekteve, apo edhe individëve jorezidentë, të cilët janë të interesuar për të investuar në prona në Shqipëri, janë të padisponueshme. Megjithatë, të dhënat anekdotike sugjerojnë se blerës potencialë janë kryesisht nga Kosova dhe Italia, ku këtu përfshihen edhe persona me origjinë shqiptare”, shton BSH.

Të fundit