Flash News

E-TJERA

Rritja e infektimeve, Meta apel qeverisë: Testimi e gjurmimi janë hapa jetikë, shtoni fondet për shëndetësinë

Rritja e infektimeve, Meta apel qeverisë: Testimi e gjurmimi janë hapa

Covid-19 ka shënuar rritje të ndjeshme të infektimeve në ditët e fundit. Vetëm pak më parë Komiteti i Ekspertëve ndryshoi planin e masave kufizuese duke filluar nga ora policore, te vaksinimi detyruar për disa kategori deri te masat në pikat kufitare.

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për situatën epidemiologjike përmes një postimi në Facebook. Meta shkruan se mbajtja nën kontroll e virusit, mund të arrihet vetëm me testime, gjurmime, izolime dhe trajtimin e duhur mjekësor.

“Ky moment shumë serioz nuk mund të mbahet nën kontroll me orë policore, por me masa shkencore dhe proporcionale, vaksinim shtesë dhe protokolle shëndetësore të konsoliduara dhe të njohura ndërkombëtarisht. Testimi, gjurmimi, izolimi dhe trajtimi i duhur mjekësor janë hapa jetike në këtë situatë”, shkruan Meta.

Teksa i drejtohet qytetarëve të respektojnë mbajtjen e maskave dhe distancën fizike, Meta i ka bërë apel qeverisë të shtojë fondet për sistemin shëndetësor për të përmirësuar shërbimin e qytetarëve.

Postimi i plotë:

Shtimi tepër i lartë i rasteve të infektimeve me COVID-19, fatkeqësisht dhe të humbjeve të jetëve në ditët e fundit, veçanërisht në rrethanat e reja të krijuara me përhapjen e variantin “Delta”, shtrojnë nevojën jetike për marrjen e masave të tjera efektive për të mos lejuar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Ky moment shumë serioz nuk mund të mbahet nën kontroll me orë policore, por me masa shkencore dhe proporcionale, vaksinim shtesë dhe protokolle shëndetësore të konsoliduara dhe të njohura ndërkombëtarisht.

Testimi, gjurmimi, izolimi dhe trajtimi i duhur mjekësor janë hapa jetike në këtë situatë.

Inkurajoj qytetarët, veçanërisht ata me probleme të tjera shëndetësore dhe që nuk e kanë kaluar COVID-19, të vaksinohen sa më parë për të reduktuar mundësinë e përhapjes së virusit të rrezikshëm.

Mbajtja e maskave, respektimi i distancimit fizik dhe higjiena maksimale janë të domosdoshme gjithashtu.

I bëj apel Qeverisë të shtojë sa më parë fondet për sistemin shëndetësor, për të përmirësuar shërbimin e ofruar ndaj qytetarëve dhe për të mos u gjendur sërish para gjendjeve të papranueshme të mjekëve dhe infermierëve në qendra shëndetësore, që luftonin në vijën e parë, pa pajisje mbrojtëse dhe mjetet e duhura diagnostike.

 

Të fundit