Flash News

E-TJERA

“Rritja ekonomike përtej pritshmërive”, Sejko: Norma bazë e interesit, kredive njëditore dhe depozitave nuk ndryshon

“Rritja ekonomike përtej pritshmërive”, Sejko: Norma

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në një konferencë për shtyp, deklaroi se norma bazë e interesit edhe për këtë tremujor do të mbetet e pandryshuar.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 0.5%, normën e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, në nivelin 0.1% dhe 0.9%.

Sipas Sejkos, gjatë tremujorit të parë ekonomia shqiptare u rrit me 5.5% duke tejkaluar pritshmëritë, Ndërsa sa i përket inflacionit, rritja e tij e diktuar edhe si pasojë e pandemisë, është në përputhje me parashikimet. Politika monetare ka krijuar një ambient financiar të qëndureshëm, ndërsa kredia për sektorin privat ka shënuar një rritje prej 7.7%.

“Pasojat e pandemisë vijojnë të jenë prezentë në ekonomi. Informacioni i ri i përfituar në tremujorin e fundit ka qenë në kahun e pritjeve tona. Inflacioni bazë ishte i qëndrueshëm. Në tërësi ecuria e inflacionit ka qenë subjekt i i luhatjeve të shpeshta e të papritura të faktorëve të ofertës. Nga ana tjetër, faktorët me ndikim afatmesëm të inflacionit shfaqen të qëndrueshme. Ekonomia shqiptare u rrit me 5.5% gjatë tremujorit të parë, duke tejkaluar pritshmëritë tona. BSH gjykon se rritja e qëndrueshme punësimit dhe pagave do të ndjekë zgjerimin e kërkesës për mallra dhe shërbime. Politika monetare e BSH ka vijuar të gjenerojë një ambient financiar të qetë dhe normal. Kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare prej 7.7%. Rritja ekonomike do të mbështetet nga zgjerimi i konsumit, rritja e eksportit të mallrave dhe shërbimeve”, tha Guvernatori Sejko.

 

Të fundit