Flash News

E-TJERA

Rrjedhja e të dhënave personale, Kuvendi kërkon përmbylljen e hetimeve

Rrjedhja e të dhënave personale, Kuvendi kërkon përmbylljen

Pak muaj më parë rrjedhja e të dhënave personale të qytetarëve, targat, numrat e telefonit, pagat, shkaktuan jo pak debate dhe reagime në opinionin publik. Duke filluar nga njerëzit e thjeshtë e të panjohur për publikun, e deri te deputetë dhe personazhe nga bota artistike, u shfaqën në listën pagave dhe targave.

Kuvendi i Shqipërisë kërkon që skandali i rrjedhjes së të dhënave të përmbyllet dhe zbardhet brenda këtij viti. Nëpërmjet një projektrezolute të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave, Kuvendi thekson në dokument se rrjedhja e të dhënave preku stabilitetin dhe sigurinë e shoqërisë, ndaj hetimi duhet të mbyllet brenda 2022-shit.

“Kuvendi i Shqipërisë kërkon që Zyra e Komisionerit, për vitin 2022 në përmbushje të detyrave të ngarkuara me ligj, të angazhohet veçanërisht dhe në këto drejtime: 1. Të përmbyllë hetimin administrativ, mbi publikimin e databazës me të dhënat e pagave të qytetarëve të punësuar në sektorin publik dhe privat si dhe databazës me të dhënat e targave të automjeteve, brenda vitit 2022”, thuhet në dokument.

Skandali i rrjedhjes së të dhënave ndodhi në fund të vitit 2021, ku u publikuan pagat e afro 637 mijë punonjësve publik e privat, ku shfaqet edhe ID e personit bashkë me numrin e telefonit. Kjo u pasua me një databazë të dytë ku u publikuan targat e mjeteve, lloji dhe ngjyra e makinës, që përfshinin edhe automjetet e institucioneve qeverisëse dhe ambasadave të huaja në Shqipëri.

Të fundit