Flash News

E-TJERA

"Rroftë miqësia shqiptaro- amerikane", Përvjetori i vendosjes së marrëdhenieve diplomatike

"Rroftë miqësia shqiptaro- amerikane", Përvjetori i

Përgatitur nga Mal Berisha

 Pas një ndërprerjeje 52-vjeçare, ato rifilluan në vitin 1991 dhe prej atëherë funksionojnë si një partneritet i qëndrueshëm në shërbim të lirisë dhe demokracisë.

28 KORRIK 1922 – 28 KORRIK 2025

Historia e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka rrënjë të thella, që shkojnë përtej vendosjes zyrtare të marrëdhënieve diplomatike më 28 korrik 1922.

 Në planin historik dhe kulturor, populli amerikan u njoh që herët me popullin shqiptar nëpërmjet poemës së Henry Wadsworth Longfellow “Përrallat e bujtinës anë udhës”, ku një vend të rëndësishëm zë heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si dhe përmes librit historik “Skënderbeu” të shkrimtarit njujorkez Clement Moore — për të përmendur vetëm disa prej tyre.

 

"Rroftë miqësia shqiptaro- amerikane", Përvjetori i
Henry Wadsworth Longfellow

 

Prania e shqiptarëve në Amerikë, që nga dekadad e fundit të shekullit XIX, kulmoi me themelimin e Federatës PanShqiptare të Amerikës “VATRA”, e cila luajti një rol përcaktues në shumë prej ngjarjeve që kanë shoqëruar zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Në kohët moderne, sidomos në prag të rrëzimit të komunizmit në Shqipëri dhe të demokratizimit të saj, si dhe gjatë momenteve më të vështira kur Jugosllavia sundohej nga krimineli Milosheviç, ishte Liga Qytetare ShqiptaroAmerikane, e drejtuar nga ish-kongresmeni Joseph DioGuardi, ajo që luajti një rol vendimtar në ndërgjegjësimin e faktorit amerikan lidhur me çështjen e Kosovës.

 

"Rroftë miqësia shqiptaro- amerikane", Përvjetori i
Presidenti i 28 – të Amerikan Woddrow Wilson

 

Në aspektin konkret të marrëdhënieve kulturore dhe historike, ato nisën me misionarët e parë amerikanë, si Dr. Charles Telford Erickson – njeriu që i kushtoi jetën Shqipërisë dhe që besohet të ketë qenë rezidenti i parë amerikan në vendin tonë, që në vjeshtën e vitit 1908, në shtëpinë e familjes fisnike të Begejve të Tiranës. Në vijim të kësaj, shqiptarët patën nderin dhe rastin të përjetonin aktin më të guximshëm dhe më me rëndësi historike në vitin 1919, kur Presidenti amerikan Woodrow Wilson, në Konferencën e Paqes në Paris, doli publikisht kundër planeve për copëtimin e Shqipërisë nga fuqitë fqinje. Me bindjen se parimi i vetëvendosjes së popujve nuk mund të shkelet, ai refuzoi të nënshkruante çdo marrëveshje që nuk njihte të drejtën e Shqipërisë për të ekzistuar si shtet i pavarur. Ky ishte akti themelues i miqësisë shqiptaroamerikane, e cila u zhvillua mbi bazën e respektit për lirinë dhe sovranitetin kombëtar. Tre vjet më pas, më 28 korrik 1922, kjo miqësi mori formë zyrtare përmes vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, duke hapur një kapitull të ri në historinë tonë të përbashkët.

 

"Rroftë miqësia shqiptaro- amerikane", Përvjetori i
Maxwell Blake më 28 Korrik 1922 në Tiranë

 

Ishte Ministri Amerikan në Marok, Maxwell Blake, ai që, pas një vizite në Shqipëri, i raportoi Departamentit të Shtetit se Shqipëria ishte një vend i denjë për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

"Rroftë miqësia shqiptaro- amerikane", Përvjetori i
Ulisses Grant Smith i pari Ministër Amerikan në Shqipëri

 

Një nga momentet më të spikatura të këtij kapitulli ndodhi në një Ditë të Falënderimeve, më 27 nëntor 1930, kur në Tiranë u inaugurua Selia e Ambasadës Amerikane – godina e parë diplomatike që Qeveria e Shteteve të Bashkuara ndërtoi si pronë të vetën në një vend të huaj, me fonde të siguruara nga ligji i njohur si Porter Bill.

 

"Rroftë miqësia shqiptaro- amerikane", Përvjetori i
Ambasada Amerikane ne Tiranë

 

Në atë ceremoni historike, në prani të Mbretit Zog I, kabinetit qeveritar dhe trupit diplomatik, Ambasadori Herman Bernstein mbajti një fjalim prekës ku përçoi vlerësimin dhe respektin që SHBA ushqente për Shqipërinë.

Ai përmendi bukurinë e vendit, kurajën e popullit dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare për vendosjen e rendit dhe zhvillimin kombëtar. Fjalët e tij nuk ishin vetëm simbolike: ato pasqyronin një mbështetje të sinqertë dhe konkrete që SHBA i kishte dhënë Shqipërisë qysh në dekadat e para të ekzistencës së saj si shtet.

Në këtë fjalim u theksuan edhe dy kontribute madhore amerikane në arsim dhe zhvillim:

 

"Rroftë miqësia shqiptaro- amerikane", Përvjetori i
Herman Bernstein in Tiranë

 

Herman Bernstein in Tiranë Instituti Bujqësor Shqiptaro-Amerikan në Golem të Kavajës, themeluar nga misionari dhe edukatori Charles Telford Erickson, financuar nga Fondacioni i Lindjes së 12 Afërt. Ky institut ishte një qendër moderne ku të rinjtë shqiptarë mësonin praktikat më të avancuara të bujqësisë dhe menaxhimit rural. Ai shënonte një hap të madh përpara në emancipimin ekonomik të vendit dhe sot njihet si Shkolla Profesionale “Charles Telford Erickson”.

Shkolla Teknike Amerikane në Tiranë, e themeluar nga Harry Fultz, e mbështetur nga organizatat amerikane filantropike. Kjo shkollë u kthye në një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit profesional në Shqipëri, duke përgatitur breza teknikësh, mësuesish dhe drejtuesish që do të luanin role kyçe në ndërtimin e shtetit shqiptar. Ajo u bë simbol i standardeve amerikane në arsim dhe i ndikimit pozitiv të SHBA në jetën shqiptare.

 Po në atë fjalim, Ambasadori Bernstein vlerësoi gjithashtu rolin e Kryqit të Kuq Amerikan dhe Fondacionit Rockefeller, që kontribuan në përmirësimin e shëndetësisë publike në Shqipëri, veçanërisht në luftën kundër sëmundjes së malarjes, e cila ishte një rrezik serioz në atë kohë.

"Rroftë miqësia shqiptaro- amerikane", Përvjetori i
 Mbreti Zog

 Mbreti Zog Kjo ceremoni e Ditës së Falënderimeve nuk kaloi pa jehonë. Gazeta “The New York Times”, në numrin e saj të 28 nëntorit 1930, e përshkroi këtë ngjarje si: “Ngjarja më piktoreske e ndodhur kohëve të fundit në Ballkan.”

Pas një ndërprerjeje afro 52-vjeçare, për shkak të pushtimit fashist dhe më pas orientimit bolshevik të Shqipërisë komuniste, marrëdhëniet diplomatike me Shtetet e Bashkuara u rivendosën në vitin 1991. Kjo u demonstrua fuqishëm me vizitën historike të Sekretarit të Shtetit James Baker në Tiranë, e cila u prit me një entuziazëm të jashtëzakonshëm dhe një pritje madhështore, si rrallëherë më parë në historinë e vendit tonë.

 Menjëherë pas kësaj, Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, u prit në Zyrën Ovale nga Presidenti George H. W. Bush – duke u bërë i pari president shqiptar që vizitoi zyrtarisht Shtëpinë e Bardhë.

Kjo miqësi shënoi një tjetër kulm kur Presidenti Bill Clinton qëndroi fuqishëm në mbështetje të çlirimit të Kosovës nga hordhitë serbe, në vitin 1999. Falë përkushtimit të tij dhe vendosmërisë së Shteteve të Bashkuara, populli ynë shqiptar i Kosovës u çlirua njëherë e përgjithmonë nga zgjedha serbe.

Miqësia shqiptaro-amerikane u forcua ndër vite dhe arriti një tjetër kulm historik më 10 qershor 2007, kur Presidenti George W. Bush u bë Presidenti i parë amerikan që vizitoi Shqipërinë. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë dhe Fushë-Krujë, ai u prit me entuziazëm të jashtëzakonshëm nga populli shqiptar. Vizita e tij u përjetua si një festë kombëtare, ku ndjenja e afërsisë dhe mirënjohjes ndaj SHBA-ve u shpreh në mënyrën më të sinqertë dhe masive. Presidenti Bush u nderua me titullin "Qytetar Nderi" dhe deklaratat e tij përkrahëse për integrimin euroatlantik të Shqipërisë forcuan edhe më tej aleancën tonë strategjike.

 Sot, në vitin 2025, kur shënojmë 103 vjet nga dita e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ne nuk kujtojmë thjesht një marrëveshje zyrtare, por një bashkëpunim të ndërtuar mbi besim, parime dhe vepra konkrete. Nga qëndrimi i Presidentit Wilson, te Bernstein dhe Erickson, nga Fultz-i te mbështetja për Kosovën, integrimi në NATO, dhe vizita e Presidentit Bush – çdo hap është dëshmi e një marrëdhënieje të jashtëzakonshme që ka qëndruar e fortë në kohë.

 Takimi i Kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me Presidentin Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë.

Ngjarje të ndryshme i kanë dhënë formë marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, duke shënuar herë pas here ulje dhe ngritje, të cilat ndonjëherë kanë qenë të panatyrshme, të motivuara jo vetëm nga rrethana të jashtme, por edhe nga faktorë të brendshëm politikë. Këto luhatje nuk janë mbështetur gjithmonë në dëshirën e madhe të poullit shqiptar dhe atij amerikan prandaj edhe janë zbritur 52 vitet e errëta të pushtimit fashist dhe të regjimit komunist në Shqipëri. Në këtë ditë historike cdo shqiptar, dhe në vëcanti shqiptaro – amerikanët brohorazun një zërti: Rroftë miqësia shqiptaro-amerikane – aleanca më e çmuar dhe më e qëndrueshme e kombit tonë!

Të fundit