Flash News

E-TJERA

“Sa herë ke udhëtuar në Maltë me Mirel Mërtirin?”/ Gjiknuri ‘përplaset’ me Bardhin: O unë o ti në Kuvend

“Sa herë ke udhëtuar në Maltë me Mirel

Debatet dhe replikat mes deputetëve në këtë seancë plenare nuk kanë ndalur. Një deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së Gazment Bardhi ka acaruar Sekretarin e Përgjithshëm të socialistëve Damian Gjiknuri.

Bardhi e quajti Gjiknurin “mafie të inceneratorëve” teksa paraqiti nga foltorja e Kuvendit disa fakte e të dhëna të nxjerra nga sistemi TIMS, që sipas tij, tregonin udhëtimet që Gjiknuri kishte kryer në kohën kur ishte ministër i Ekonomisë dhe Financave, me përfituesit e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

“Gjiknuri ka udhëtuar me Zoton dhe Mërtirin dy herë brenda një muaji gjatë javës para miratimit. Para se ta thërrasë SPAK Gjiknuri po të bëj edhe dy pyetje të thjeshta. Sa herë ke bërë pushime në shtëpinë e Mirel Mërtirit në Maltë. Malta konsiderohet si parajsë fiskale për fshehjen e miliarda eurove. Nuk është çudi që paratë që janë borxh të kenë përfunduar në Maltë. Mos ke ndonjë shtëpi në Maltë në emër të dikujt tjetër. Sot po ndalem këtu nuk po pyes në detaje për lejet e dhëna. Sot po mjaftohem duke të thënë që kjo është më e komplikuar se skema e blerjes së zgjedhjeve. Jo tërmet po cunam. SPAK ka mundësinë e artë për të hetuar këto çështje. Duhet vullnet,” tha Bardhi.

Deklarata e tij ngjalli reagime nga Gjiknuri. Ky i fundit deklaroi se kishte udhëtuar vetëm një herë drejt Maltës dhe nëse Bardhi gjen më shumë të dhëna se kaq, atëherë në Kuvend do të qëndrojë vetëm njëri nga të dy.

Pjesë nga debati:

Gjiknuri: Nuk doja ta merrja fjalën, por dëgjova emrin tim këtu krejt rastësisht. Ju keni një problem, problemin e keni me kontratat e inceneratorëve dhe si i kanë lëshuar ato apo me personat në fjalë? Se s’po e kuptoj. E dyta, në ato kontrata, ministria që kam drejtuar nuk ka asnjë rol. Për skenën që keni bërë kallëzim, çojeni deri në fund, por të përmendni këtu jo kështu e ashtu, kjo nuk është etike. Ti Gaz aq e ke, maksimumi do rrish te hija e tij, e do harrohesh bashkë me ta. Mos u mundo të ndërtosh karakterin tënd mbi shpije. Nëse gjen që unë e kam vizituar atë, vetëm njëherë si ministër, po gjete më shumë se një udhëtim, o unë, o ti në këtë sallë. Nëse gjen dy udhëtime të mija në Maltë, dil këtu e thuaji, ndryshe o unë, o ti në këtë sallë.

Bardhi: Në fakt prisja të sqaroje udhëtimet me mafiozët e inceneratorëve, prisja përgjigje nëse ke ose jo llogari të fshehtë në Maltë, prisja të përgjigjeshe a ke apo jo shtëpi të fshehur me emrin e ndonjë prej miqve të tu?

Gjiknuri: Ma gjej.

Bardhi: Ta gjej unë, TIMS-i.

Gjiknuri: E njoh që në shkollë atë.

Bardhi: Shumë mirë që e njeh, bën mirë të gjesh ndonjë avokat të mirë.

 

Të fundit